Policia e Durrësit ka vënë në pranga tre persona, ndërsa ka shpallur në kërkim tre të tjerë për armëmbajtje pa leje, drogë dhe vjedhje.

Me të arrestuarve është Mond Koçi, i njohur edhe si “Mond Çekiçi”, anëtar i bandës së Durrësit.

“Në vijim të kontrolleve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë u arrestua në flagrancë shtetasi E. K., 42, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, në çantën e dorës, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “Luger”” njoftoi policia.

Ndërkohë në Krujë, u arrestua në flagrancë shtetasi S. L., 58 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim policor djemtë e tij, shtetasit T. (E.) L., 35 vjeç, D.(Y.) L., 37 vjeç dhe E. L., 26 vjeç, banues në Thumanë.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. L., në një magazinë të cilën e kishte përshtatur me llamba për kultivim të bimëve narkotike, u konstatuan kubikë të kultivuar me fara të dyshuara cannabis sativa, 1 kallashnikov, municion luftarak, 1 armë gjahu dhe një sasi e vogël lënde narkotike.

Nga specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve u arrestua në flagrancë shtetasi P. L., 34 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në mjetin me të cilin po lëvizte (të cilin e kishte marrë me qira), iu gjetën 2 palë çelësa mjetesh, ku njëri prej tyre i përkiste një mjeti të vjedhur, i cili rezultoi se ishte i vjedhur në Lushnjë më datë 09.09.2020 dhe u gjend i parkuar në afërsi të banesës së këtij shtetasi.

Gjithashtu gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale rreth 1 kg lëndë narkotike cannabis sativa.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.