Diplomati Nesho: Greqia do të zgjerohet 12 milje, po Shqipëria?! Marrëveshja e Detit nuk finalizohet nga kjo qeveri

Në mesin e një debati të hapur për zgjerimin e ujërave territoriale nga Greqia në kufirin me Shqipërinë, diplomati Agim Nesho thotë se e drejta 12 milje i takon çdo shteti nëse nuk prish interesat e shteteve të tjera me të cilat ndan territore ose hapësira të përbashkëta ujore.

Në një intervistë me skype për Rtv Ora, Nesho nënëvizon se me rëndësi është që Shqipëria si vend negociues me Greqinë për marrëveshjen e detit të dalë përtej interesave të ditës.

Agim Nesho: Duhet të besojmë të dy deklaratat sepse Greqia po vazhdon një politikë për zgjerimin dhe forcimin e hapësirave ekskluzive të shfrytëzimit të ekonomisë në det. Kryeministri grek ka deklaruar se nuk duhet të qëndrojmë në pozita pasive por duhet të kemi një politikë aktive të jashtme që përfshin dhe përcaktimin e hapësirave ujore ekskluzive të shelfit kontinental. Nga ana tjetër e drejta 12 milje i takon çdo shteti nëse nuk prish interesat e shteteve të tjera me të cilat ndan territore ose hapësira të përbashkëta ujore. Është e nevojshme që Shqipëria si vend negociues me Greqinë duhet të shikojë shumë mirë interesat e saj jo vetëm të ditës por edhe të perspektivës për brezat e ardhshëm, si  të drejtën e peshkimit, të drejtën e zonës ekskluzive ekonimike të shelfit kontinental për të bërë një zgjdhje sa më të drejtë në interesa reciproke të dy shteteve fqinj.

Diskutimi për marrëveshjen e re të detit pason rrëzimin e marrëveshjes së parë me vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe vjen në një moment kur kjo e fundit nuk është funksionale.

E megjithatë Nesho thotë se negociatat duhet të vazhdojnë pasi perspektiva e zhvillimit ekonomik do të kalojë edhe nëpër hapësirat detare të shelfit kontinental.

Agim Nesho intervistë për gazetarin Xhoi Malësia në Rtv Ora

Agim Nesho: Ky është një handikap në Shqipëri, mungesa e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Negociatat duhet të vazhdojnë, nuk mund të përfundojnë në një kohë të shkurtër. Gabimi ishte që në politizimin e marrëveshjes së parë për detin, duhet të ishte një marrëveshje teknike por u politizua për arsye politike dhe këto janë konseguencat. Negociatat duhet të vazhdojnë, janë shumë të rëndësishme sepse perspektiva e zhvillimit ekonomik do të kalojë edhe nëpër hapësirat detare të shelfit kontinental. Shqipëria duhet të ketë një plan por kemi një terr informativ. Reagojmë se nuk, dimë çfarë po ndodh, vetëm shtypi grek jep prononcime nga autoritetet e tyre që e kanë negociuar atë.Transparenca duhet të shoqërojë të gjitha proceset, negociatat kanë kufizimet para se të shpallen. Por ne dimë çfarë kërkon Turqia, Greqia por nuk dimë cilat janë interesat e shtetit shqiptar.

Diplomati me shqetësim sheh mungesën e transparencës dhe të një strategjie të qartë nga pala shqiptare për këtë proces.

Agim Nesho: Nuk dimë kush është ekipi negociator, si do të procedohet, çfarë të drejtë do tu jepet ishujve shkëmborë grekë, si do përcaktohen, kush janë interesat që Shqipëria duhet të qëndrojë fort? Duhet të kemi shumë kujdes që diskutimet e ardhshme të mos bien në pozicionet e plotësimit të disa kërkesave minimale, atje ku është gabuar me të parën për sasira të limituara toke ose deti në dëm të atyre hapësirave të domosdoshme dhe të nevojshme që i takojnë Shqipërisë në zonën ekskluzive ekonomike detare për të ardhmen e vendit tonë. Pra në radhë të parë mungon transparenca, nuk kemi strategji se çfarë do të bëjmë për pasuritë tona kombëtare për shfrytëzimin e zonës detare dhe së treti në gjithë këtë luftë që fqinjët tanë bëjnë për të siguruar maksimumin e rezervave ekonomike detare ne s'kemi strategji të qartë. Edhe sot Kryeministri më tepër fokusohej në përgjigjen që do ti jepte Kreut të Shtetit sesa ishte në thelb transparent.

Përkundër replikave në distancë, Nesho i sheh bashkë në këtë çështje Presidentin dhe Kryeministrin por shton se marrëveshja e detit është një proces që mund të mos përfundojë nga kjo qeveri.

Agim Nesho: Kjo qeveri tani i ka ditët e limituara. Mendoj që edhe kjo çështje merr një sensibilizim të madh për dy arsye, nga mostransparenca dhe mungesa e strategjisë. Nuk mund të vendosemi para një fakti të kryer që kjo është mnarrëveshja dhe ne ta firmosim.

Intervista në studio me gazetarin Xhoi Malësia, përgatiti për online Besjana Kuçana

Vendi Lajme Politikë marreveshja e detit me greqine agim nesho

EMISIONET