Presidenti Meta në një nga daljet e fundit në media theksoi me forcë se Shqipëria është në udhëkryq në rrugëtimin e integrimit, ku qartësisht mazhoranca aktuale po punon për zgjatje e pushtetit me metoda jodemokratike duke penguar procesin integrues.

Një vend i lënë enkas pa Gjykatë Kushtetuese, me Kod Zgjedhor të votuar njëanshmërisht nga mazhoranca, me qeverisje të kredhur në paligjshmëri dhe në korrupsion, janë “kryeveprat” e Rilindjes që po e zhysin Shqipërinë në gropën e vetmisë.

Shqiptarët po goditen në aspiratën e tyre europiane të deklaruar fuqishëm që në vitet nëntëdhjetë.

Vetoja holandeze duket se është fillimi i krijimit të hendekut. Veç Serbisë, Malit të Zi, tashmë edhe Maqedonia e Veriut na le targën në procesin e integrimit, ku duket se vendet e tjera në Ballkan ecin, ndërsa ne mbesim në vend. Faturën e papërgjegjësisë së mazhorancës dhe të Edi Ramës po e paguajnë shqiptarët.

Disa mendonin se pavarësisht të gjithave, Konferenca e negociatave BE-Shqipëri do të mbahej në dhjetor, por kjo nuk ka tashmë asnjë mundësi që të ndodhë.

Unë ndihem i trishtuar për këtë fakt, sepse nuk mund të gëzohem kur vendi im nuk ecën përpara. Tashmë është e qartë se kjo Qeveri, ky Kryeministër, kjo Mazhorancë dhe të gjitha ata që i mbështesin apo i justifikojnë në publik, duhet të ndihen të turpëruar se po i bëjnë Shqipërisë një dëm të rëndësishëm dhe njëkohësisht, duke e dobësuar atë, po rreshtohen me ose pa dashje në spektrin e atyre që nuk i duan shqiptarët.

Pushteti i kujtdo individi apo grupimi nuk mund të vendoset mbi interesat e vendit.

Dilema: Shqipëria në Europë apo në gropë, nuk duhej të ekzistonte.

Atë e krijuan ata, që në 25 Prill 2021, do të ndëshkohen me votë, sepse projekti Shqipëria në Europë, nuk ka as alternativë dhe as nuk mund të zhbëhet!

Autori është mjek në profesion dhe kryetar i LSI, Pogradec