Aksident me pasojë vdekjen në Rrugën e Arbrit.

Një qytetar është përplasur nga një makinë drejtuesi i së cilës është larguar nga vendngjarja.

Burime për Ora News bëjnë me dije se, viktimë ka mbetur shtetasi Rushit Rusi, rreth 69 vjeç, nga fshati Çerenec.

Ngjarja ka ndodhur pranë fshatit Gjoricë, një kilometër larg Shupenzës, në drejtim të rrugës për në Maqellarë.

Policia, pak minuta pas aksidentit, ka arritur të identifikojë drejtuesin e mjetit, i cili është shoqëruar në komisariat për hetime të mëtejshme.

Njoftimi i Policisë:

Shkaktoi aksident me pasojë vdekjen e 69-vjeçarit, shoqërohet në Komisariat drejtuesi i mjetit i cili pas aksidentit u largua nga vendi i ngjarjes.

Rreth orës 20.00, në vendin e quajtur Gjoricë, (në segmentin e rrugës së Arbërit që është akoma kantier ndërtimi) shtetasi N. D., duke drejtuar automjetin tip ‘Benz’, dyshohet se ka goditur shtetasin R. R., 69 vjeç, i cili për pasojë ka humbur jetën.

Shërbimet e Policisë pas ndjekjes dhe kontrollit të zonës, kanë gjetur dhe shoqëruar në Komisariatin e Policisë Bulqizë, drejtuesin e automjetit i cili pas aksidentit u largua nga vendi i ngjarjes.