Dialogu Kosovë-Serbi, BE kritikohet për anshmëri pas letrës së Lajçak

Dialogu Kosovë-Serbi, BE kritikohet për anshmëri pas letrës

Politika e jashtme e BE-së u kritikua në Prishtinë si pro Serbisë dhe në dëm të Kosovës. Kritikat e analistëve politikë erdhën pas letrës që i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak i dërgoi kryeministrit Avdullah Hoti. Aty ai thotë se ndalimi i hyrjes së presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Kosovë e dëmton vazhdimin e dialogut.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak i dërgoi një letër kryeministrit Avdullah Hoti ku thotë se ndalimi i hyrjes së presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Kosovë e dëmton vazhdimin e dialogut.

Analistët politikë në Prishtinë e kritikuan këtë sjellje të BE-së dhe e quajtën si në favor të Serbisë, sidomos me heshtjen për zbulim të varrezave masive.

Drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj thotë se politika e jashtme e BE-së po tregohet në favor të Serbisë dhe në dëm të Kosovës. 

“Nëse ditët e fundit i shohim deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë, fillimisht presidenti Vuçiç flet për luftë, pastaj deklaratat e Daçiçit ku flet se duhen fshehur varrezat masive dhe nuk kemi reagim të zyrtarëve të BE-së. E në momentin kur nuk lejohet vetëm një vizitë e presidentit Vuçiç në Kosovë, kemi një letër që vjen nga BE. Kjo tregon se politika e jashtme e BE-së është goxha e anshme”, thotë ai.

Letrën e Lajçakut, Allen Meta quan të ashpër, por shton se veprimi vjen edhe për shkak të qeverisë së paqëndrueshme të Kosovës.

“Reagimi i zyrtarëve evropian është goxha i ashpër në deklaratën e fundit të zotëri Lajcak. Mirëpo edhe arsyeja pse na duket më shumë që BE po sulmon Kosovën është edhe mungesa e një qeverie të qëndrueshme,” thotë ai.

Ndërsa politologu Ramush Tahiri e lidh reagimin Lajçakut me marrëveshjen e lëvizjes së lirë, por thekson se palës serbe i duhet bërë e qartë që vizitat të jenë zyrtare dhe të ndërsjella.

“Është vlerësimi politik kjo që e bënë zotëri Lajçak sepse nxirret në parimin që është nënshkruar marrëveshja për qarkullimin e lirë. Mirëpo vizita duhet të jetë zyrtare, jo vizitë private. Vizita zyrtare është që të përcillet nga homologu i tij i Kosovës që e vizitojnë vendin. Kosova njëherë e përgjithmonë duhet t’i ndalë këto vizitat e imponuara nën firmën e kompromisit”, u shpreh Tahiri.

Vetë kryeministri Avdullah Hoti tha se kërkesat për vizita nga zyrtarët serbë do të trajtohen sipas situatës aktuale.

“Unë kam pranuar letrën nga zoti Lajçak do t’i përgjigjem dhe në fakt jam në komunikim të rregullt me të, por çdo kërkesë për vizitë duhet të trajtohet në kontekst të ndjeshmërisë së situatës nëpër të cilën po kalojmë” tha Hoti.

Javën e kaluar, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç tentoi të vizitoi Kosovën, por leja iu refuzua nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Rajoni Lajme Kosovë dialogu kosove-serbi

EMISIONET