Franca, Spanja, Greqia janë tri vende evropiane që po raportojnë një shpërthim të pandemisë brenda kufijve të tyre pas lehtësimit të karantinës kombëtare në muajin qershor.

Në kryeqytetin francez, shumë parisianë shprehen megjithatë kundër detyrimit të maskave ndaj koronavirusit.

Infeksioni i kovidit-19 në Francë ka arritur kulmin e dy muajve të fundit, menjëherë nga dhënia fund masave të izolimit të për qytetarët.

Rreth 1,700 raste të reja u regjistruan të mërkurën në të gjithë vendin, rreth katërfishi i rasteve ditore që raportoheshin në muajin qershor ndërsa numri total i jetëve të humbura u rrit mbi 30 mijë.

Këshilli shkencor i qeverisë franceze njoftoi të martën se një valë e dytë e pandemisë pritet ta godasë vendin në vjeshtë ose dimër.

Resortet bregdetare e kanë bërë të detyrueshme mbajtjen e maskave për këmbësorët duke kufizuar edhe lëvizjet në plazhe, por edhe qytetet po mendojnë të aplikojnë masa kufizuese.

Kryeqytetasit në Paris vazhdojnë të mos e mirëpresin idenë e autoriteteve lokale për detyrimin e maskave në lagje të caktuara, mes tyre pikat më turistike dhe perimetri përqark lumit të Senës.

“Për mendimin tim, është e panevojshme kur nuk ka shumë njerëz, përndryshe maskat vlejnë.

“Po shtyjnë me forcë ligje për maskat dhe gjëra të tilla dhe nga ana tjetër as nuk bëjnë përpjekjen më të vogël të investojnë në testimin sa më shpejt të popullatës, që mund të ishte një mënyrë më e lehtë për ta kaluar pandeminë.”

“Unë jam absolutisht pro maskave, dhe duhet të ishin bërë me detyrim më herët, edhe pse nuk janë të rehatshme.”

Franca nuk është i vetmi vend evropian që po sheh një shpërthim të pandemisë në javët e fundit.

Situata paraqitet shqetësuese edhe në Spanjë, ku në 24 orë u shtua me 1,700 pacientë të rinj bilanci i të infektuarve, duke arritur në 305 mijë; Zvicra ka njoftuar karantimin e të gjithë personave që vijnë nga Spanja, Gjermania po e aplikon një vendim të ngjashëm për të ardhurit nga qytetit belg i Antverpit ndërsa edhe Greqia të mërkurën shënoi 124 të prekur të rinj me koronavirusin e ri brenda ditës, bilanc ky më i larti prej javësh në shtetin mesdhetar.

Që nga fillimi i pandemisë, i gjithë kontinenti evropian ka konfirmuar rreth 1 milion e 800 mijë raste infeksioni dhe më shumë se 180 mijë viktima nga kovidi-19.