Bashkimi Europian mirëpret njoftimin nga qeveria shqiptare dhe ajo greke për të çuar përpara zgjidhjen e mosmarrëveshjes për zonat detare.

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero, në një postim në twitter, thotë se çështjet në lidhje me caktimin e kufijve adresohen më së miri përmes dialogut, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe në ndjekje të parimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Shqipëria dhe Greqia ranë dakort sot që zgjidhja e çështjes së kufijve detarë dhe përcaktimit të Shelfit Kontinental dhe Zonave Ekonomike Ekskluzive, t’i besohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të Hagës.

Njoftimi u bë gjatë vizitës në Tiranë të ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias, në përfundim të takimit që ai pati me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm shqiptar Edi Rama.