Detaje tronditëse dalin në dritë nga akti makabër i ekzekutimit me prerje kokë të mësuesit të historisë në periferi të Parisit.

Prokurori i Antiterrorizmit,Jean-Francois Ricard, tha se autori i krimit, një çeçen i lindur në Rusi, i cili ishte me banim të ligjshëm në Francë me statusin e refugjatit, iu afrua studentëve dhe u kërkoi atyre që ta drejtonin tek viktima e tij, profesori 47-vjeçar Samuel Paty.

Po sipas prokurorit, autori pasi i preu kokën, postoi në tëitter një foto të trupit të pajetë të mësuesit shoqëruar me një mesazh ku merrte përgjegjësinë për vrasjen. 

Sipas Ricard, llogaria i përket autorit të krimit. Disa minuta më vonë, policia e qëlloi dhe e vrau atë në periferi të Conflans-Sainte-Honorine.

Postimi u hoq shpejt nga Twitter, i cili tha se e kishte pezulluar llogarinë sepse shkelte politikën e kompanisë.

Çfarë shkroi autori në twitter

Ricard njoftoi se mesazhi thoshte: “Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit, … drejtuar (Presidentit francez) Macron, udhëheqësit të pabesëve, unë ekzekutova një nga zagarët tuaj i cili guxoi të nënvlerësonte (Profetin) Muhamedin”.

Në fillim të këtij muaji, Paty u tregoi nxënësve të tij karikatura të Profetit Muhamed si pjesë e kursit të Edukimit të Qytetarisë mbi lirinë e shprehjes, duke zemëruar një numër prindërsh myslimanë që e konsiderojnë përshkrimin e Profetit një blasfemi.

Autori i krimit jetonte në qytetin Evre, në veriperëndim të Parisit dhe nuk ishte i njohur për shërbimet sekrete, tha Ricard në konferencën për shtyp.

9 persona në paraburgim

Prokurori i anti-terrorizmit konfirmoi se policia ka ndaluar 9 persona si të dyshuar për sulmin . Mes tyre janë edhe katër të afërm të autorit të krimit, njëri prej të cilëve i mitur.

Pesë të tjerë u arrestuan brenda natës, duke përfshirë dy prindër të nxënësve në shkollën e mesme Boa d’Oln ku punonte mësuesi.

Një javë më parë, babai i një nxënësje të shkollës publikoi një video në YouTube duke e quajtur mësuesin një “bandit” i cili kishte nevojë të “kthehej vetë në shkollë”. Ai u bëri thirrje prindërve që të bashkohen për të kërkuar ndëshkimin disiplinor të rij.

Nuk dihet nëse ky prind është mes të arrestuarve dhe nëse autori e kishte parë videon specifike.

Prokurori i antiterrorizmit gjithashtu konfirmoi që shkolla kishte marrë kërcënime para sulmit, se autori i krimit ishte duke jetuar legalisht në Francë dhe kishte statusin e refugjatit dhe se viktima kishte paraqitur një ankesë me shkrim për shpifje kur shkolla kishte marrë kërcënime për sjellje të keqe.

Presidenti Macron e vizitoi shkollën pas ngjarjes makabre duke e konsideruar një sulm terrorist. Ndërkohë të shtunën rreth 1000 mësues, studentë, prindër, banorë dhe zyrtarë bënë homazhe në vendin ku ndodhi krimi.