Qeveria greke ka vendosur të zgjasë deri në datën 14 gusht masat kufizuese të lëvizjes në kufirin me Shqipërinë për shkak të situatës së rënduar nga pandemia e koronavirusit. I njëjti vendim është marrë edhe për qytetarët nga Maqedonia e Veriut dhe Turqia. Ndërkohë të shtunën katër qytetarë shqiptarë tentuan të kalojnë kufirin me formularë të falsifikuar por u arrestuan nga policia bashkë me dy taksistët që po i transportonin drejt Greqisë.

Qeveria greke ka vendosur të mbajë të mbyllur kufirin me Shqipërinë edhe për dy javë të tjera për shkak të situatës së pandemisë.

Përveç Shqipërisë ekzekutivi në Athinë miratoi shtyrjen e memorandumit për bllokimin e kufirit edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë deri në datën 14 gusht.

Sipas qeverisë greke deri në datë 14 gusht në kufi do të lejohen të kalojnë shtetasit shqiptarë me leje qëndrimi, shtetasit grekë, punëtorët sezonalë, anëtarët e familjeve të shtetasve grekë, diplomatët etj, ndërsa nuk lejohen turistët.

Masa e ndalimit në kufirin me Greqinë, e cila lidhet me rastet e rritura të infektimeve dhe vdekjeve nga COVID 19, ka penalizuar shumë qytetarë në dy vendet, aq sa shumë prej tyre, kanë nisur të përdorin dokumente të falsifikuara me shpresën për të udhëtuar në dy anët e kufirit.

Katër shqiptarë dhe dy shtetas grekë janë arrestuar në 24 orëve të fundit në pikën e Kakavijës, pasi sipas policisë greke kishin falsifikuar formën e posaçme që nevojitet për kalimin në pikat kufitare, PLF.

Policia Greke thotë se personat e arrestuar kanë tentuar të kalojnë në doganë pa plotësuar më parë formularin por janë kthyer pas nga policia.

Pak orë me vonë, të njëjtët persona, kanë paguar shtetasit grekë me origjinë shqiptare, te cilët punojnë si taksistë ilegalë mes dy vendeve, për tu pajisur me formularë të falsifikuar dhe kanë tentuar të kalojnë serish në pikën kufitare me dy furgonë me targa greke.

Pas verifikimeve të kryera në sistem u verifikua se e kanë falsifikuar formularin për kalimin në kufi.

Policia greke ka vënë në pranga gjashtë personat që u dërguan në rajonin e policisë në Kalpaq dhe në vazhdim në gjykatën e Janinës ku janë penalizuar me gjoba nga 150 në 5000 euro dhe më pas janë lënë të lirë me kusht.