Deputeti Shaip Kamberi ka ngjallur debate sot në Parlamentin serb, pasi ka vendosur në tryezën e tij flamurin shqiptar kuq e zi.
Gjatë seancës parlamentare ai ka kërkuar ndryshime në Ligjin për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave Kombëtare, duke vendosur kështu flamurin kombëtar si shenjë “proteste”.
“Sot flamuri serb po valvitet lirisht mbi Graçanicë apo Kumanovë, ku serbët gëzojnë të drejtat e tyre. Nuk shoh ndonjë gjë për debat”, ka thënë Kamberi gjatë fjalës së tij.
Kryeparlamentari Ivica Daçiç ka reaguar menjëherë, duke i kërkuar ta heqë atë. Ai ka kërkuar nga deputeti shqiptar respektimin e protokollit të Parlamentit, që parashikon ndalimin e flamurave të kombeve të tjera gjatë seancave. Daçiç ka mohuar ta quajë flamurin kuq e zi, si përfaqësues të pakicës shqiptare, duke u hasur edhe me kundërshtimin e Kamberit.
“A ka ndonjë çështje më të rëndësishme se identiteti? Ky është një flamur që shqiptarët e përdorin nga viti 1443 dhe është më shumë një flamur kombëtar se sa një flamur shtetëror”, tha deputeti.
Pavarësisht se ai pranoi ta heqë atë, zhurma e shkaktuar në sallë zgjati më shumë.