Emisioni investigativ “BOOM” në RTV Ora bëri një vëzhgim në rrugën e Durrësit.

Tashmë punimet kanë mbaruar në pjesën më të madhe, duke vazhduar me trotuaret.

Rruga e Durrësit tashmë nuk të çon më në Durrës, por shërben me dy korsi makinash për të kaluar nga rrethrrotullimi i Zogut të Zi, për në qendër të Tiranës.

Ndërkohë rruga është shtuar me dy korsi biçikletash.

Bizneset në këtë rrugë janë ato që e kanë ndjerë më shumë ndryshimin.

Për kamerën e “BOOM”, pronarët ankohen se u ka rënë xhiroja fare.

Një pronare lokali thotë se nuk ka bërë as lekët e qirasë.

“Ne kemi një muaj që rrimë kot. Kam një muaj që kam bërë 100 mijë lekë, ndërsa qiranë e kam 500 mijë lekë. Këtu gropat rrinë një muaj hapur, nuk vijnë fare klientët. Tani vetëm t’i mbyllim bizneset.”

“Situata më koronën, pastaj kjo e përkeqësoi më shumë. Nuk ka shumë lëvizje. Është mbyllur edhe stacioni që shkonte poshtë.”

Pothuajse të gjitha bizneset e kanë ndjerë rënien e xhiros ditore.

“Ka ranë shumë puna, ka pasur shumë pluhur. As një makinë uji nuk sollën.”

 Për të shkuar nga qendra e rrethrrotullimit të Zogut të Zi, kalimi bëhet nga “Mine Peza”.

Kjo rrugë çdo ditë ngarkohet nga trafiku. Drejtuesit e automjeteve ankohen se qëndrojnë në trafik nga 30 minuta apo më shumë.

“Këtu në trafik shpenzoj dy orë në ditë.”

“Trafik ka sa të duash, rri këtu gjysmë orë. Kanë bërë gabim që e mbyllën rrugën e Durrësit.”

“U lehtësua rruga e Durrësit, por u ngarkua “Mine Peza””.

Një shofer thotë se është trafiku Lali  Erit.

 “BOOM” shkoi në disa rrugë të kryeqytetit në orare të ndryshme, jo vetëm gjatë pikut.

Makinave u duhet të qëndrojnë shumë në trafik. Kështu në mëngjes, distancën nga Kombinati deri në qendër të Tiranës, u deshën 33 minuta për ta përshkuar.