Parametrat fiskale të financave publike janë brenda parashikimeve të bëra nga Qeveria Shqiptare për këtë vit, pavarësisht efekteve negative, që pati ekonomia shqiptare nga pandemia e Covid 19.

Kjo ishte ajo që theksoi Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë një takimi online me shefen e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Shqipërinë, YanSun.

Masat e marra nga Qeveria shqiptare, për të përballuar efektet e krizës ishin efikase dhe ndikuan drejtpërdrejt në ekonomitë familjare, për personat më në nevojë dhe te operatorët ekonomikë, theksoi Denaj.  

Diskutimet gjatë këtij takimi u fokusuan mbi zhvillimet makroekonomike dhe fiskale, veçanërisht në kuadër tërreziqeve dhe paqartësive të larta prej pandemisë, si dhe mbi pritshmëritë e ekonomisë për këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

Një vëmendje tëveçantë mori diskutimi mbi financat publike, kryesisht mbi pritshmëritë fiskale, mbi realizimin e parametrave buxhetore të këtij viti dhe pritshmëritë për elementët kryesorë të buxhetit të vitit tjetër dhe periudhës afatmesme.

Gjatë  diskutimeve u theksua si mjaft e rëndësishme nga të dyja palët nevoja për t’ju rikthyer trajektores rënëse të borxhit publik në afatmesëm, në përputhje edhe me rregullat fiskalë në ligjin organik të buxhetit, si dhe mbi rreziqeve fiskale për periudhën afatmesme në vijim.

Qeveria Shqiptare në muajin Korrik miratoi ndryshimet në ligjin organik të buxhetit, duke bërë detyruese ruajtjen e një balance primare pozitive prej vitit 2023.

Shefja e misionit të FMN, YanSun, falenderoi Ministren Denaj për bashkëpunimin e ngushtë të deritanishëm të institucionit, që ajo drejton.