Demokratja Harris kandidate për zv.presidente

Demokratja Harris kandidate për zv.presidente

Kandidati demokrat për President i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden, ka zgjedhur senatoren Kamala Haris si zëvendësen e tij për karrigen më të lartë të shtetit në garën e 3 nëntorit.

Bajden njoftoi të martën se ish-kryprokurorja 55-vjeçare, Haris, është figura e duhur për ta pasur në krah përballë republikanit Donald Tramp në kohën kur vendi has tri kriza kryesore si pandemia e koronavirusit, ngadalësimi ekonomik dhe përplasjet në vija raciale.

Kandidimi i gruas së parë zv.presidente nga komuniteti afroamerikan u përshëndet nga demokratët, mes tyre ish-presidenti Barak Obama dhe rivalja e dikurshme, Hilari Klinton.

"Kemi një president të dështuar me situatën e virusit, që i ka sjellë kosto jetëve të njerëzve, ka copëtuar ekonominë por edhe i ka fryrë flakëve të urrejtjes.  Më duhet dikush në krah që është inteligjente, e fortë dhe e gatshme të udhëheqë. Dhe ajo është Kamala," njoftoi Biden në mesazhin për mbështetësit e tij.

Haris, nga ana e vet, e cilësoi 77-vjeçarin Bajden si presidentin që i duhet popullit amerikan për ta bashkuar dhe për t'i dhënë sërish hov idealeve të vendit.

Senatorja Haris është e bija e dy emigrantëve nga India dhe Xhamajka që shërben në shtetin më të madh amerikan, në Kaliforni, dhe pritet ta shfrytëzojë influencën dhe të shkuarën e saj për të tërhequr më shumë votuese gra dhe afroamerikanë brenda partisë.

"Mendoj se është një kandidate me rrezik, shumë e diskutueshme. As në zgjedhjet paraprake për kandidim mes demokratëve nuk mori aq shumë vota, ndaj ka për të qenë me rrezik."

"Na duhet më shumë diversitet në Shtëpinë e Bardhë, raporte më të ngushta mes njerëzve për sa i përket racës dhe gjinisë. Bajdeni dhe Kamala janë një ndërthurje e mirë për Amerikën."

Ndërkaq, presidenti aktual Trump riktheu të martën në vëmendje sulmet që rivali Bajden dhe zëvendësja e tij i drejtonin njëri-tjetrit në garat paraprake për karrigen e Shtëpisë së Bardhë, dhe se si Harris mori vetëm 2 për qind të votave.

Trump paralajmëroi amerikanët se me Harisin në zyrën ovale, ata do të rrezikojnë shumë.

"Është një person që ka thënë shumë histori të pavërteta, që do të ngre taksat, do të shkurtojë fondet për ushtrinë tonë, kundërshton nxjerrjen e hidrokarbureve dhe kërkon të ndryshojë sistemin e sigurimit shëndetësor për 180 milionë amerikanë."

Njësoj si katër vite më parë, sondazhet nxjerrin se amerikanët sërish preferojnë një demokrat për president.

Bajden kryeson deri tani me gati 9 për qind më shumë mbështetje popullore sesa rivali republikan Trump, që shpreson për një mandat të dytë.

Bota Lajme SHBA trump kandidate presidenti zv.presidente

EMISIONET