Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi sot piktorin e shquar, Vangjush Mio (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin “Si një ndër piktorët e parë profesionistë në Shqipëri.

Me metodën e impresionizmit ka pikturuar me dashuri peizazhin shqiptar, me dritë dhe gjuhë artistike të nivelit më të lartë. Ai mbetet ‘Poet i natyrës’ dhe pararendësi në formimin e peizazhistëve të mëvonshëm”.

Po kështu me Dekoratën “Nderi i Kombit”, Kreu i Shtetit çmoi edhe piktorin e shquar Abdurrahim Buza (pas vdekjes), me motivacionin “Si një ndër piktorët e parë që hodhi bazat profesionale të arteve figurative në Shqipëri. Për krijimtarinë e tij të gjerë që përshkohet dallueshëm nga fryma kombëtare, e ndërthurur me vlera artistike. Si një zë unik e individualitet i dallueshëm në artin pamor shqiptar”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë e dekorimeve të dy mjeshtrave të papërsëritshëm të artit pamor shqiptar, Presidenti Meta u shpreh:

“Letërsia dhe arti kultivojnë dhe pasurojnë shpirtin e një kombi, ndaj ato janë gjithashtu shumë thelbësore jo vetëm për identitetin e tij, por dhe për vetë demokracinë. Mesazhet që jep një pikturë, ashtu si edhe ato të një romani, mund të çojnë peshë zemrat dhe mendjet e miliona njerëzve nëpër botë dhe të përmbysin deri diktatura.

Edhe pse arti vetë nuk mund ta ndryshojë botën, ai qartësisht frymëzon ata, që mund ta bëjnë dhe që duhet ta bëjnë një gjë të tillë.

Prandaj është thelbësore që të japim mbështetjen dhe vlerësimin e duhur për gjithë artistët tanë, që ia kanë dedikuar jetën e tyre artit, i cili, siç ka thënë Pablo Pikaso ‘fshin nga shpirti ynë pluhurin e jetës së përditëshme’.

Piktorët, që nderojmë sot, janë nga ata artistë që me penelin e tyre kanë skalitur në art bukuritë dhe historinë shqiptare, kanë krijuar vlera të spikatura artistike dhe me veprën e tyre kanë kontribuar në zhvillimin e arteve figurative në Shqipëri dhe në formimin e një plejade të tërë artistësh”.