Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ditën e sotme ka sulmuar kreun e LVV Albin Kurtin duke quajtur komentet e tij që për linjën hekurudhore Nish-Prishtinë-Durrës si lajthitje të natyrës vetëadministruese.

Vetëvendosje në Shqipëri ka reaguar me anë të një statusi nga kreu i saj Boiken Abazi i cili shkruan se Rama është doganier i Serbisë.

Abazi:

Rama, doganieri i Serbisë

Edi Rama na tregoi sot se si Shqipëria do fitojë nga përdorimi i Portit të Durrësit prej Serbisë, dhe se si, sipas tij, këtë e di çdo ekonomist. Në fakt çdo ekonomist me dy pare mend e di që buxheti i shtetit dhe mirëqenia rriten kur rritet prodhimi e punësimi i një vendi.

Çdo ekonomist e ka të qartë se Serbia ka ekonominë më të fuqishme në Ballkanin Perëndimor, dhe se Shqipëria ka aktualisht një bilanc tregtar negativ me Serbinë. Çdo ekonomist e kupton se me hapjen totale të tregut shqiptar ndaj Serbisë ky bilanc negativ do përkeqësohet përmes vërshimit të mallrave serbe në tregun shqiptar, duke goditur sektorët e prodhimit dhe punësimin.

Çdo ekonomist e di se Porti i Durrësit në funksion të Serbisë vetëm sa e lehtëson ekspansionin dhe dominimin ekonomik të Serbisë në Kosovë e Shqipëri. Çdo ekonomist e kupton se të ardhurat që do nxjerrë dogana e Portit të Durrësit nga mallrat e Serbisë do jenë kosto që do i faturohet në fund shqiptarëve që do u shkatërrohet potenciali prodhues e punësimi. Mirëpo Rama nuk foli sot si ekonomist por si doganier. Rama foli sot si doganier i Serbisë.