Ish-deputetja e LSI, Silva Caka reagon pas postimit të Komisionerit për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë në BE, Oliver Varhelyi.

Përmes një postimi në Twitter, zyrtari i lartë i Brukselit i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të presë opinionin e Komisionit të Venecias para se të rivotojnë ndryshimet e Kodit Zgjedhor, i rikthyer për shqyrtim nga presidenti Ilir Meta.

Sipas Cakës, deklarata e Varhelyi bën thirrje për reflektim nga mazhoranca.

Silva Caka: “Deklarata e Varhelyi bën thirrje për REFLEKTIM!

Injorimi i kësaj deklarate, por edhe atyre të mëparshme të Varhelyi apo PPE, nuk bën asgjë tjetër veçse na largon gjithnjë e më shumë nga Europa.

Opozita është e vendosur për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme dhe kontributi i saj për Reformën Zgjedhore është i padiskutueshëm.

Ndryshimet e njëanshme dhe brenda natës të ”rregullave të lojës”, gjithnjë i kanë sjellë dëme të konsiderueshme Shqipërisë.

Këto zgjedhje janë për t’i rikthyer dinjitetin Shqipërisë, institucioneve dhe misioni më madhor ngelet pa diskutim afrimi me BE-në. Asgjë nuk do t’a ndalojë Shqipërinë në këtë rrugë!”

“Kodi Zgjedhor i Shqipërisë: Unë besoj se Komisioni i Venecias do të sigurojë këshilla të shpejta për palët e interesuara shqiptare mbi zbatimin e Ndryshimeve Kushtetuese të 30 korrikut. Parlamenti duhet të marrë në konsideratë pritjen e rivotimit për të marrë parasysh këtë këshillë. Duke pritur për zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill 2021”, shkruan në Twitter Oliver Varhelyi.