Ngricat që pasuan reshjet e dëborës kanë izoluar zonat e thella dhe kanë krijuar vështirësi në lëvizje. 

Në pjesën më të madhe të akseve kombëtare qarkullohet vetëm me zinxhirë, ndërsa shumë zona rurale nga juglindja në veri janë të izoluara.

Trashësia e dëborës shkon deri në dy metra në zonat e thella të Korçës, ndërsa reshje pati edhe në qytetet bregdetare.

Në Lushnjë dëbora ka mbërritur deri në 10 cm, e cila ka rënë me ritme të ulëta gjatë natës. Rrugët e qytetit janë të kalueshme me vështirësi.

Autostrada Rrogozhinë-Lushnjë në të gjithë gjatësinë e saj është mbuluar nga akulli duke rrezikuar seriozisht lëvizjen e mjeteve.

Edhe në Berat kanë qenë të pranishme reshjet e dëborës.

Në rrugën e fshatit Drobonik në qytetin e Beratit ka pasur rrëzime pishash në rrugë gjatë natës nga stuhia. Pas prerjes dhe pastrimit tē tyre rruga është e kalueshme. Të bllokuara nga dëbora që prej mëngjesit janë rrugët e fshatrave Potom e Gjerbës në Skrapar, ndërkohë që nuk ka mungesë të energjisë elektrike në asnjë zonë deri në këto momente.

Në qarkun e Korçës reshjet vijojnë ende, me temperatura të ulëta deri në -8 gradë celsius. Trashësia varion nga 40-50 cm, ndërkohë që në vendet me erë shkon deri në 100-150 cm.

Qafë Thanë-Kapshticë me zinxhirë

Korçë-Dardhë e vështirë me zinxhirë

Korçë-Dogana e Gorricës me zinxhirë

Korçë-Voskopojë me zinxhirë

Maliq-Moglicë me zinxhirë

Korçë-Ersekë-Leskovik me zinxhirë

Në Lezhë rruga Balldren-Milot vijon të jetë e bllokuar në aksin në drejtim të Milotit. Policia vijon të devijojë automjetet në drejtim të rrugës së vjetër. Gjithashtu është vënë re mungesa e borëpastrueseve.

Gjatë orëve të mëngjesit ka patur dëborë edhe në qytetin bregdetar të Vlorës diçka e veçantë kjo që ndodh një herë në disa vite. Dëbora më e dendur ka qenë në fshatin turistik të Llogorasë deri në Palasë ku gjithçka është mbuluar nga dëbora. Nga Llogaraja deri në Palasë rruga e bllokuar për shkak se ka zënë shtresa akulli.Dhjetëra automjete të bllokuara duke krijuar radhë të gjata trafiku.

Në Palasë ku ishin bllokuar 20 automjete për shkak të ngricave në rrugë ka ndërhyrë policia së bashku me borëpastrueset duke bërë të mundur zhbllokimin e këtij aksi.

Edhe në Elbasan reshjet e dëborës kanë zgjatur deri në orët e para të mëngjesit me një intensitet të mesëm. Temperaturat nën zero kanë sjellë praninë e ngricave në akset rrugore nacionale, rurale dhe në rrugët e qytetit.

Ne aksin rrugor nacional Elbasan-Rrogozhine (në Balldren), Elbasan-Belsh (në Shalës), Elbasan-Gramsh (ne Banje) mëngjesin e sotëm kemi pasur bllokime të pjesshme nga prezenca e madhe e akullit. Në akset Elbasan-Qafë Thanë e Elbasan-Gjinar trashësia e dëborës ka arritur mbi 20 cm trashësi. Në aksin rrugor Librazhd-Stëblevë një pjesë e aksit është e bllokuar në segmentin Fushe Studen-Klenje ku kemi një prezence dëbore deri 70 cm trashësi.

Akset Elbasan-Labinot Mal dhe Elbasan-Funarë raportohet bllokimi i rrugës.

Në Gjirokastër raportohen disa segmente të bllokuara si ai Kolonjë-Golem Bashkia Gjirokastër , Poliçan-Sopik Bashkia Libohovë , Mbrezhan – Malëshovë Bashkia Këlcyrë dhe Bredhi Hotovës-Frashër- Gostivisht Bashkia Përmet .

Gjithashtu dhe në rrugët rurale të fshatrave në zonat malore të qarkut , të kalueshme me zinxhirë .

Në Dibër, e Bulqizë, e Kukës ka fshatra të izoluara,  nga dëbora që shkon deri në 70 cm.

Rruga Peshkopi-Tiranë është i kalueshëm me vështirësi me zinxhirë. Ndërsa nga Ura e Çerenecit në Librazhd është i bllokuar.