Qindra refugjatë nga Pakistani dhe Afganistani, kanë mbetur jashtë pasi kampi i tyre në Lipa të Bosnjës u dogj. Dëbora që ra të premten ka vështirësuar më shumë jetesën, ndërkohë autoritetet vendore po refuzojnë të hapin një qendër pritëse.

Dëbora që ra të premten i vështirësoi kushtet për qindra refugjatë që kanë mbetur në Bosnjë të pastrehë pasi kampi ku qëndronin u dogj rreth dy javë më parë. Temperaturat shkuan nën zero dhe e gjitha zona ku ngrihej kampi Lipa u mbulua nga dëbora.

Mbi 1300 refugjatë, shumica nga Pakistani dhe Afganistani, jetonin në kampin e vendosur pranë kufirit me Kroacinë në përpjekje për të kaluar në Bashkimin Europian.

Qindra vetë janë të detyruar të flenë në pyll në pritje të strehimit, ndërsa presin në rreth 20 çadra të ngritura nga ushtria boshnjake.

“Nuk ka ujë, drita apo energji elektrike, nuk ka dushe. Ka kohë që bie shi apo dëborë dhe nuk kemi as ilaçe,” thotë një 30 vjeçar nga Pakistani.
Çadrat e reja me ngrohje që mund të strehojnë rreth 900 vetë do të jenë gati në ditët në vijim, tha kreu i bashkisë së Bihac-it, Suhret Fazlic, ndonëse besohet se puna do të nisë vetëm në prill. Një zyrtar vendor i kryqit të Kuq tha se vullnetarët po shpërndajë ushqime për emigrantët.

Policia boshnjake tha se beson se kampit ju vu zjarri qëllimisht për të protestuar në lidhje me kushtet e vështira dhe pas tërheqjes të IOM-it, Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit,që menaxhonte kampnin.
Vetë IOM u tërhoq për shkak të kushteve të vështira në të cilat jetonin refugjatët dhe u bëri thirrje autoriteteve që të rihapin një qendër pritjeje në një fabrikë të braktisur, e cila u mbyll në tetor pas presionit të banorëve.

Bashkimi Europian që i ka dhënë Bosnjë 85.5 milionë euro që prej vitit 2018 për të ndihmuar refugjatët, e konsideroi gjendjen alarmante dhe u bëri thirrje autoriteteve vendore të veprojnë menjëherë.

Ndërsa kreu i bashkisë së Bihac-it e akuzoi BE-në se nuk po bënte mjaftueshëm për të ndihmuar.

Agjencia e BE-së për mbrojtjen e kufirit Frontex tha të premten se numri i imigrantëve që përdorin rrugën e Ballkanit Perëndimor për të kaluar drejt Europës Perëndimore u rrit vitin e kaluar me 75 për qind.