Presidenti i ri amerikan, Joe Biden , e ka nisur ditën e tij të parë në zyrën Ovale duke modifikuar trashëgiminë politike të paraardhësit, Donald Trump.

Me t’u betuar si kreu i 46-të i shtetit, demokrati nuk vonoi të mërkurën që të shfuqizojë disa nga vendimet e administratës republikane.

15 dekrete të reja presidenciale e mbajnë Amerikën në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, e bëjnë atë sërish palë në marrëveshjen e Parisit për klimën, i japin fund pengesave në lëvizje për disa shtetas myslimanë dhe krijojnë lehtësira financiare për të prekurit nga pandemia.

“Mendoj se me situatën ku e gjejmë kombin sot, nuk ka kohë për të humbur por duhet t’i futemi punës menjëherë. Këto dekrete ndryshojnë kursin e krizës me Covid-19, avancojnë politikat për barazi racore, mbështetjen kundër padrejtësive ndaj komuniteteve, dhe rindërtojnë palcën e shtetit tonë, që është klasa e mesme,” tha ai.

Gjatë 10 ditëve të ardhshme, presidenti Biden pritet të firmosë një total prej 53 urdhrash ekzekutivë që lidhen me ekonominë, klimën, sistemin shëndetësor dhe emigracionin.

Ai informoi se pas hyrjes në Shtëpinë e Bardhë, kishte marrë një letër nga paraardhësi Trump, pasi ky i fundit refuzoi të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të detyrës.

“Presidenti më shkroi një letër shumë bujare. Ishte private dhe nuk do jap detaje pa folur me të, por ishte një letër bujare.”

Demokrati Biden u inaugurua të mërkurën si President i Amerikës në moshën 78-vjeçare pas fitores së zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Për katër vitet e ardhshme, pushtetin politik do ta ushtrojë krah tij zv.Presidentja, Kamala Harris.

Lexo edhe:

Fjalimi i parë si president, Biden: Do të udhëheqim jo me shembullin e fuqisë sonë, por me fuqinë e shembullit tonë