Bashkimi Europian nuk po gjen konsensus për sa i përket pasaportave të vaksinimit.

Liderët e 27 shteteve anëtare nisën të enjten diskutimet për masat kundër Covid-19, dhe si mund t’i lehtësojnë udhëtimet jashtë gjatë pandemisë. 

Greqia është një nga mbështetëset e idesë së lëvizjes së personave me një pasaportë të re mbarë-evropiane e cila tregon se kush është vaksinuar dhe mund të udhëtojë lirshëm brenda BE-së.

“Ka ende një numër pikëpyetjesh, edhe politike. Së pari, për çfarë do të përdoren certifikatat. Pastaj është pyetja më shkencore, sepse është ende e paqartë a mund ta transmetojë dikush sëmundjen edhe pse është vaksinuar,” deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Greqia i sheh pasaportat e Covid si zgjidhje për të ndihmuar sektorin e turizmit teksa afron vera.

Hungaria ka njoftuar se do fillojë t’i lëshojë ato nga 1 marsit, ndërsa idenë e kanë përkrahur Spanja, Austria, vendet nordike, madje edhe Gjermania.

“Objektivi politik është që t’i kemi pasaportat gati në pak muaj: më parë kam deklaruar për tre muaj,” u shpreh Merkel.

Ndërkohë Franca shprehet më e rezervuar për pasaportat e Covid, duke ngritur shqetësimin se ato nuk janë etike ose i diskriminojnë grupe të caktuara.

“Kur flas për pasaportë shëndeti, kjo nuk varet nga vaksinimi apo jo i dikujt. Edhe po të rihapim disa nga kufijtë diku në pranverë, nuk mund t’u kushtëzojmë aksesin njerëzve prej vaksinimit përderisa as nuk e kemi nisur fushatën e vaksinimit për të rinjtë,” tha Presidenti i Francës Marcon.

Në botë deri tani janë vaksinuar mbi 220 milionë persona, nga afro 8 miliardë gjithsej.

Bashkimi Evropian parashikon që të imunizojë 70 për qind të popullsisë së rritur brenda verës.