Është një ndër gazetarët më me eksperiencë dhe më të njohur në vend. Por njëkohësisht është edhe një prej përjetuesve direkt të të gjithë jetës politike në vend që nga rrëzimi i sistemit komunist e deri më sot.

Blendi Fevziu ishte i ftuari i gazetares Besmira Pelushaj, në një intervistë ndryshe dhe me detaje shumë interesante.

Kur jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit, Fevziu, gjatë intervistës për RTV Ora, zgjodhi ato të vitit 2005 si më të mirat të zhvilluara ndonjëherë në vendin tonë.

Sipas tij, debatet dhe përballja e palëve si dhe përballja e programeve ishin ato që i diferencojnë nga zgjedhjet e tjera.

Pa harruar këtu edhe ato të vitit 1991-1992, të cilat do të hapnin një faqe të re në historinë e Shqipërisë.

Besmira Pelushaj: Nëse gjatë fushatave që keni ndjekur si gazetar do të vlerësonit dy, një si më impaktuesen dhe cilësisht më energjiken dhe të anasjelltën e saj, atë më pak aktiven apo me më pak pritshmëri për elektoratin, cilat do të ishin?

Blendi Fevziu: Meqë është një nga pyetjet më interesante që më kanë bërë. Se nuk më kanë pyetur për një gjë që është një lloj arshive brenda meje. Më lejo të shkoj pak përtej dyshit. Do ti etiketoj dy fushatat më të mira. Por do të doja të kisha një shikim më të gjerë të gjërave. Duhet të ndajmë fushatat e entuziasmit të madh.

Fushata e vitit 1991-1992 kur entuziasmi i publikut, përfshirja e publikut, angazhimi politik i publikut ishte i jashtëzakonshëm. Nuk ishin fushata tipike. Ishin fushata në mungesë të informacionit të plotë se si bëhet një fushatë. Mbaj mend ekspertët e parë amerikanë që kishin ardhur atëherë në Partinë Demokratike, çuditeshin se si nuk kuptonim çfarë ishte fushata. Sepse nuk kishin ekzistuar zgjedhjet për më shumë se 70 vjet. Zgjedhjet e fundit, të lira, siç bëheshin atëherë, ishin në vitin 1923. Prill të vitit 1923 dhe ne rihymë në zgjedhje të reja, të lira, më 31 mars 1991.  Por ishin zgjedhje të një entuziasmi të jashtëzakonshëm kur politikanët tërhiqnin vrulle entuziasmi kudo që shkonin. Takime të mëdha, entuziazëm. Pa dyshim që ishin edhe zgjedhje që ndryshonin kahun historik të vendit. Ndryshonin sistemin. Pra ishin në kushte krejtësisht të tjera.

Kemi pasur pastaj zgjedhje me probleme, siç janë ato të vitit 1996. Shumë probleme ato të vitit 1997 për arsye të problematikës së krijuar. Kemi pasur zgjedhje relativisht të mira. Jo zgjedhje, më fal, por votim, ai i referendumit për Kushtetutën në vitin 1994.

Nëse më pyet mua personalisht. Me eksperiencën time personale dhe me këndvështrimin mediatik por edhe të ofertës, dy palë zgjedhjet më të mira që Shqipëria ka patur dhe me garë shumë të fortë janë zgjedhjet e vitit 2005 dhe zgjedhjet e vitit 2009. Do veçoja ato të vitit 2005 ku të gjitha parimet mediatike por edhe politike u zbatuan. Debatet e palëve, përballja e palëve, përballja e programeve por nuk ishin zgjedhje që filluan muajin e fundit. Është e çuditshme që sot, dy muaj para zgjedhjeve, në çdo mëngjes ti ke një vështirësi të gjesh një problematikë për të cilën të diskutojnë palët. Ndërkohë që në vitin 2005 debatet fillonin një vit më përpara. Një vit përpara çështjet kryesore të debatit politik në vend, po flas çështje parimore dhe prinicipiale, kishin filluar të diskutoheshin.

Kam përshtypjen, sot, nga analiza që i bëj, kishin avantazhe që vinin nga sistemi. Se njerëzit e ftuar në studio, po aq sa kishin idenë që u vinte nga partia të mesazhit, po aq kishin kujdesin të ishin të pranueshëm dhe të pëlqyeshëm nga publiku që do ti votonte. Se shkonin në përballje të drejtpërdrejtë mazhoritare. Ti nuk mund të bëje thjesht makinën riprodhuese të mesazhit elektoral, që vinte nga ekipi yt elektoral, sepse kur shkoje në publik do lije përshtypjen e një njeriu mekanik që nuk ka mendim të vetin.

Për mua ajo ka qenë fushata më e mirë. Qoftë në nivelin e përfaqësimit, qoftë në nivelin e debatit politik, qoftë në karizmën e liderëve politikë. Ajo ka qenë përplasja më interesante mes Nanos dhe Berishës, të cilët ishin përballur disa herë në 15 vjet. Ishte përmbyllja e një cikli prej një dekade e gjysmë. Dhe kanë qenë zgjedhjet më të mira në Shqipëri.

Po aq interesante kanë qenë edhe zgjedhjet e vitit 2009 kur beteja ishte po aq e fortë. Por ishin zgjedhje me entuziaste, me më shumë reklamë, me më shumë imazh, me më shumë mitingje. Ndërsa zgjedhjet e vitit 2005 ishin me më shumë thelb. Në vitin 2009 nuk ishte ky thelb por pjesa e imazhit të zgjedhjeve ishte shumë më interesante.

Besmira Pelushaj: Po më pak impaktuse?

Blendi Fevziu: Më pak impaktuese janë ato të vitit 2017. Dhe 2019, zgjedhjet lokale. Janë zgjedhje mizerabël, në çdo kuptim.

Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatit për web Aurel Rakipllari