Mjeku Erion Dasho në një intervistë për RTV Ora komentoi dhe takimet e Kryeministrit Rama në SHBA për sigurimin e vaksinës anti Covid 19. Dasho tha se kjo është një iniciativë e vonuar dhe vaksina do vijë në Shqipëri kur periudha më e vështirë të ketë kaluar.

Erion Dasho, për RTV Ora: E vlerësoj si iniciativë por duhet të ishte marrë shumë kohë më parë sepse vende të ndryshme i kanë filluar negociatat për vaksinën që në verën e këtij viti. Pra është një iniciativë  e vonuar por edhe sikur kjo iniciativë të materializohet me sukses  dhe kryeministri të vijë me kontrata, bëhet fjalë për një vaksinë që do të fillojë të zbatohet jo më parë se 3 ose 4 muaj nga momenti që flasim.  Pra bëhet fjalë për një vaksinë e cila nuk do të ketë ndonjë efekt pasi periudha e zjarrit, periudha e vështirë  e pandemisë në Shqipëri janë 3 muajt e dimrit. Ne kemi hyrë në dhjetor me një numër rastesh tepër të lartë i cili është shumë shqetësues dhe i cili flet për një dimër të vështirë.

Ai  tha se skenaret për aplikimin me suskses të vaksisës do t’i aplikojnë vendet e Europës që i kanë nisur përpjekjet që ne verë.

Erion Dasho, për RTV Ora:  Fatkeqësisht vaksina edhe sikur të fillojë të aplikohet në një janar që nuk ka shanse, por e zëmë se kryeministri është aq i suksesshëm sa nënshkroi të gjitha marrëveshjet që duhen, pagoi të gjitha paratë që duhen dhe në 1 janar do fillojë te aplikohet vaksina, minimumi do një muaj që të japë efekt. Pra bëjmë fjalë që dhjetori dhe janari ikën. Ky do të ishte skenari më i mirë i mundshëm por këtë skenar do ta zbatojë Gjermania  dhe Europa që ka muaj që  punon për këtë. Nëse kryeministri kujtohet në dhjetor për këtë iniciativë, gjasat janë që vaksina të mos fillojë më herët  se 3 ose 4 muaj nga momenti që flasim. Atëherë është shumë vonë pasi periudha e dimrit ka kaluar. Shqiptarët fatkeqësisht do të vazhdojnë në këtë situatë tragjike dhe të cilën uroj të ketë një reflektim nga ministria komiteti. Kjo nuk është më punë vaksinash, testesh , është një punë masash urgjente që duhen marrë.

Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për online E.P