Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Kosovën një vend më pak të rrezikshëm për sa i përket situatës me pandeminë, por sërish u këshillojnë shtetasve të vet të tregojnë kujdes për një tjetër risk si terrorizmi që mbetet i pranishëm në vend.

Përmirësimi i situatës epidemiologjike ka bërë që pas më shumë se dy muajve, Kosova të hiqet nga lista e zezë e qeverisë amerikane për shkak të koronavirusit.

Departamenti i Shtetit uli të mërkurën klasifikimin e riskut për Kosovën nga niveli sipëror 4 në nivelin 3, duke shfuqizuar vendimin kundër udhëtimeve drejt Prishtinës.

Qytetarëve amerikanë tani u rekomandohet t’i planifikojnë me kujdes udhëtimet në Kosovë.

Por raporti këshillon që të evitohen vizitat në Mitrovicën e Veriut, Leposaviç, Zubin-Potok dhe në Zveçan për shkak të mundësisë për trazira civile si pasojë e tensioneve etnike.

Sipas Uashingtonit, terrorizmi mbetet një rrezik permanent në rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën.

“Terroristët mund të sulmojnë me ose pa paralajmërim, vendet turistike, qendrat e transportit, tregjet apo qendrat tregtare, objektet e qeverisjes vendore, hotelet, klubet, restorantet, objektet fetare, aeroportet dhe zona të tjera publike në vend,” thekson Departamenti amerikan i Shtetit.

Me të njëjtin nivel risku Uashingtoni klasifikoi në muajin gusht edhe Shqipërinë, duke veçuar pandeminë por edhe situatën me krimin si arsye pse duhen evituar udhëtimet drejt Tiranës.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, ndërkaq, e mirëpriti faktin e vlerësimit më pozitiv të situatës me kovidin-19 në vend, që deri tani atje ka shkaktuar 650 viktima.