Danimarkë, imami kërkon "sheriatin"

Danimarkë, imami kërkon "sheriatin"

Myslimanët janë pakica fetare më e madhe në Danimarkë, dhe tani po synojnë që në tërësinë e normave juridike të vendit të përfshihet edhe një pjesë e së drejtës islame.

Prej ditësh në qytetin lindor të Odenses është pritur me polemika deklarata e një prej imamëve lokalë i cili po shtyn idenë e zbatimit të ligjit të Sheriatit në shoqërinë daneze.

Imami Abu Bashar në qytet u ka kërkuar grave të firmosin kontrata divorci, ku gruaja zotohet të heqë dorë nga fëmijët nëse rimartohet, nëse zhvendoset me banesë mbi 130 kilometra larg bashkëshortit, dhe nëse njollos nderin e familjes.

Për më tepër, gruaja ngarkohet t'i paguajë bashkëshortit dëmet e divorcit.

Rasti i një dokumenti të tillë të firmosur në gjuhën arabe përpara disa dëshmitarëve u sigurua së fundmi nga mediet vendëse dhe komentohet me shqetësim nga kryebashkiaku i Odenses.

"Kjo është dhunë psikologjike e ndërmarrë në emër të ligjit të Sheriatit. Nuk ka njeri që e firmos një kontratë divorci të tillë pa qenë nën presion të jashtëzakonshëm. Është i papranueshëm dhe sigurisht që kjo marrëveshje nuk vlen para ligjit kombëtar."

Imami Abu Bashar është raportuar në polici për dhunë psikologjike, vepër penale që parashikon deri 3 vite heqje lirie.

Sondazhet e mëhershme tregojnë se 4 në 10 myslimanë danezë duan që ligjet e vendit të bazohen pjesërisht në ligjin e Sheriatit, ndërsa vetëm 10 për qind mendojnë se mësimet e Kuranit duhet të rregullojnë pjesërisht mënyrën se si sillet shoqëria.

Një debati të tillë iu bashkua në fundjavë edhe kryeministrja daneze, Mete Frederiksen.

"Sheriati nuk ka vend në Danimarkë, nuk është danez e as ka për t'u bërë asnjëherë. Imami nuk duhet të ndërhyjë fare te çështjet e divorcit. Ajo u takon vetëm palëve në martesë. Ne kemi pasur dyshime për tendencat jodemokratike në disa pjesë të Danimarkës, të cilat qeveria jonë do bëjë gjithçka për t'i ndaluar."

Sipas një studimi të Ministrisë daneze të Drejtësisë, 8 në 10 myslimanë danezë gjithashtu duan t'i bëjnë të dënueshme kritikat ndaj islamit, krahasuar me 18 për qind nga qytetarët e thjeshtë.

Në Danimarkë jetojnë mbi 300 mijë myslimanë që përbëjnë 5,4 për qind të gjithë popullsisë.

Bota Lajme danimarke imami sheriati

EMISIONET