Daçiç: Nuk këshilloj askënd t’i bëjë ultimatum Serbisë ose Vuçiçit

Daçiç: Nuk këshilloj askënd t’i bëjë

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha sot se në Uashington do të ketë presione të mëdha si për Serbinë ashtu edhe për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, por që ultimatumi nuk është mënyra për të zgjidhur problemin.

Në Shtëpinë e Bardhë sot (e enjte) pritet të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

"Gjithmonë është folur për formimin e një kornize ekonomike, gjithçka që mund t'i përkiste normalizimit të marrëdhënieve, por edhe jetës së përditshme të njerëzve, infrastrukturës, hekurudhës, vendosjes së lirisë së lëvizjes, mallrave, kapitalit", tha Daçiç

Ai shtoi se nëse dikush pret që të jetë një takim spektakular, në kuptimin që do të shfaqet një kornizë politike dhe se do të diskutohët statusi (i Kosovës), kjo, sipas tij, është një çështje "plotësisht e papërgatitur".

"Nëse dikush mendon se të bëjë presion mbi Serbinë përmes disa agjendave të fshehura, unë jam i bindur se presidenti Vuçiç do të përgjigjet në mënyrën që është në interesin tonë kombëtar dhe shtetëror," tha Daçiç.

Ai shtoi se marrëveshja politike nuk është e përgatitur.

"Të gjithë do të donin ta zgjidhnin atë çështje, por kjo çështje mund të zgjidhet vetëm me kompromis," tha ai.

"Unë e di sesi funksionon e gjitha, presioni do të jetë i madh mbi shtetin dhe mbi këtë njeri (Vuçiq), me shantazhe, kërcënime për të ardhmen e tij, por unë e di se si reagon Vuçiqi ndaj kësaj, kështu që unë nuk këshilloj askënd t’i bëjë ultimatumin Serbisë ose Vuçiqit. Kjo nuk është mënyra për të zgjidhur problemin”, tha Daçiç.

Ministri serb gjithashtu tha se Serbia nuk mund, siç tha ai, të korrigjojë gjërat në rendin ndërkombëtar.

"Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se Brukseli po ndërmjetëson në dialog nën rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm që Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të japë miratimin përfundimtar për të gjithë këtë. Kështu që të gjithë duhet të kenë njohuri për gjerësinë e spektrit të të gjithë aktorëve" përfundoi Daçiç.

Nikoqirë të takimit do të jenë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell. /REL/

Kosove Rajoni Lajme Serbi Kosovë

EMISIONET