Drejtuesi i Këshillit  Shqiptar të Medias, Kolereto Cukali, shpreh shqetësimin për sulmin politik nga Rtv Ora dhe Ora News, duke u shprehur se është e pabesueshme të shohësh forca policore pranë redaksive mediatike.

Cukali:  Personalisht por edhe si Këshill Shqiptar i Medias jemi shumë të shqetësuar për çfarë po ndodh në lidhje me televizionet, është gati e pabesueshme të shohësh forca policore pranë redaksive të mediave, është e paimagjinueshme në një botë demokratike.

Ai nënvizon dy problematika serioze në këtë situatë. Së pari nxitimin e SPAK që në listën e sekuestrove të përfshijë edhe televizionet duke cënuar në këtë mënyrë lirinë e informacionit dhe së dyti “loja e të fortit” me RENEA-n.

Cukali: Vërej dy probleme te kjo situatë, e para te SPAK që ndoshta ka neglizhuar një element kur ka vënë edhe televizionet si pjesë e sekuestros. Televizioni nuk është thjesht një produkt apo pronë e një pronari. Nuk është po rrethon një fabrikë pulash dhe aty janë pulat e një pronari.Aty prodhohet informacion dhe vendimi i SPAK më duket pak i nxituar sepse nuk ka marrë parasysh efektet që ka mbi lirinë e informacionit, qoftë edhe duke e vënë televizionin në administrim të jashtëm. Pra një administrator i jashtëm, nëpunës i qeverisë, i cili do të diktojë dhe linjën editoriale. Uroj të jetë një vendim pa dashje. Problemi i dytë është mënyra si është interpretuar kjo kërkesë për sekuestro nga ana e institucioneve të shtetit. Vimë me një shoë për të intimiduar jo vetëm punën e juve që jeni aty por edhe të mediave dhe gazetarëve të tjerë që janë kritikë me qeverinë.Është loja e të fortit, kemi parë dhe rastin e Teatrit.  Nuk e di keni qenë ju apo Sonila Meço me kallashnikov aty që kanë sjellë RENEA-n për ta neutralizuar! Është e gjitha absurde.

E gjitha është presion dhe show. Shteti sa çduket trembës dhe i frikshëm me këtë veprim po aq kupton se është dhe qesharak. Ata që i ideojnë këto gjëra janë njerëz banal dhe të rëndomtë. Gjithë ky sulm policor te ju është shpërdorim i asaj kërkesë për sekuestro që është bërë. Shoh tejkalim të ligjit. Shteti dhe policia përdoren në shërbim të orekseve dhe interesave private. Është një sulm i hapur për lirinë e medias dhe funksionin e informacionit.

Drejtuesi i Këshillit  Shqiptar të Medias, Kolereto Cukali

Në të tilla kushte ai thotë se do të donte shumë që SPAK të rishikojë vendimin për sekuestron e televizioneve, televizioni nuk është vetëm ndërtesa.

Cukali thotë se ka një solidaritet  në radhët e gazetarëve, pasi vendosja e një standardi të tillë do të bëhej i pakthyeshëm edhe në rastin e ndërrimit të pushtetit.

Cukali: Një pjesë e mirë e gazetarëve e ndjejnë dhe e kuptojnë se sot jeni ju dhe nesër dikush tjetër. Nëse vendoset sot ky standard, edhe po u ndryshua pushteti nesër standardi mund të ngelet. Vetë fakti se ato trupat RENEA po mësohen se mund të shkojnë dhe të rrahin artistë apo të rrethojnë gazetarë do të thotë që nesër kjo mund të kthehet në standard normal që në të vërtetë është shumë anormal.

Veprimi i SPAK në një periudhë kur edhe gjykatat janë pushim e vë në pikëpyetje edhe më tepër këtë proces.

Cukali tregon se nga ana e qeverisë ka pasur një përpjekje intensive për të kaluar në korrik ligjin e medias, i cili praktikisht është një ligj censure.

Cukali: Është veprimi klasik i një qeverie që tenton të punojë apo funksinojë në kufijtë e të paligjshmes. Nuk është përcjellë shumë në media por ka pasur një tentativë intensive të qeverisë shqiptare që në korrik të kalonin ligjin e medias duke “reflektuar” rekomandimet e Venecias duke përfituar nga rasti që është kohë vere. Për fatin e mirë nuk arritën ta kalonin dot se ti nuk mund të bësh një ligj për një javë sikur të mbledhësh dhe 1000 veta për ta kryer atë punë. Por qëllimi është aty, ata duan të kalojnë prapë një ligj që u hodh poshtë nga Komisioni i Venecias, ligjin e AMA-s që praktikisht ëdhtë një ligj censure. Ka veprime aktuale brenda partisë në pushtet, në kuvend që duan ta kalojnë dhe pse Venecia e thoshte qartë se AMA nuk duhet ta ketë këtë pushtet. Duan të bëjnë sikur po reflektojnë rekomandimet e Venecias dhe duan ta kalojnë prapë ligjin siç duan ata. Nuk e di çfarë mund të ketë përtej kësaj përveçse të kthehet diktatura de jure. Që nga 1990 nuk kam parë një moment që demokracia të ketë qenë më e goditur, më e brishtë dhe dhuna ndaj institucioneve të shtypit të ketë qenë në kufijtë e të paligjshmes.

Ai shpreson shumë që gjithë ky vrull i pushtetit të jetë thjesht një show dhe mos kemi një skenar si në rastin e Begetit.

Cukali: Shpresoj shumë të jetë vetëm për show. Nuk e di nëse kjo situatë do të shkojë drejt asaj që u krijua me Agon Channel. Por sot po kuptojmë se humbëm një televizion që ishte kritik me qeverinë dhe po humbim një sasi të madhe parash nga xhepat tanë falë vendimeve të gabuara, joligjore por edhe imorale nga të njëjtat persona. Shpresoj që mos të ndodhë si me Begetin, unë jam kundër mbylljes së mediave. Shpresoj që të mos ndodhë i njëjti skenar. Drejtësia të vazhdojë punën me të gjithë asetet e tjera por rekomandoj që televizionet të hiqen nga lista e sekuestros sepse nuk janë prona e një individi.

Dhe në fund edhe një mesazh inkurajimi.

Cukali: Mbahuni fort!