E ftuar në emisionin ”Ora Verore” nga gazetari Ronaldo Sharka në ”RTV Ora”, zv.Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Ornela Çuçi, tha se turizmi është i qëndrueshëm, edhe pas 2 tërmeteve dhe pandemisë.

Sipas saj, strukturat hoteliere në Shqipëri funksionojnë jo vetëm 3 muaj, por edhe më tepër.

Çuçi tha gjithashtu se turizmi është industria më e fortë në vend, dhe përbën 21% të PBB.

Ornela Çuçi: ”Ka qenë një vit shumë i vështirë për Shqipërinë, 2 goditje tërmetesh, e dyta më e fortë dhe më pas pandemia. Megjithatë, qëndrueshmëria e turizmit u tregua pikërisht pas këtyre tre goditjeve. Të parët që hapën dyert një ditë pas tërmetit për të pritur rreth 6 mijë qytetarë të cilët ngelën të pastrehë, ishte pikërisht turizmi. Kjo tregon që turizmi nuk është sezonal, është një turizëm i qendrueshëm. Strukturat hoteliere shqiptare nuk janë më struktura të cilat funksionojnë 3 muaj dhe ngelen aty, jo. Funksionojnë edhe më tepër dhe turizmi në Shqipëri është shtrirë jo vetëm në muajt e verës. Në Shqipëri kemi vetëm një industri të fortë e cila është turizmi, është 21% e prodhimit të brendshëm bruto.”