Sektori i peshkimit do të ketë një tjetër ndihmë që pritet të aplikohet së shpejti. Gjysma e shpenzimeve për rinovimin e paisjeve të anijeve do të subvencionohet nga qeveria dhe Bashkimi Europian me një grant të vënë në dispozicion prej 1.5 milionë eurosh.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, gjatë një vizite në një prej anijeve më të mëdha të flotës shqiptare të peshkimit vlerësoi ndërhyrjet që kanë dhënë efekt në këtë sektor.

Bledi Çuçi: “Politikat tona në këto 6 vite e kanë çuar peshkimin në një stad tjetër. Është një nga sektorët që ka performuar shumë mirë. Po të shohim statistikat, eksporti i peshkut dhe prodhimeve të detit është rritur me 3.25 herë më shumë se në vitin 2013. Ju kujtoj gjithashtu se një nga gjërat më të mëdha që e kanë ndihmuar sektorin është përjashtimi nga taksa e qarkullimit, nga taksa e ndikimit në mjedis dhe nga akciza e naftës për peshkimin. Sot sektori i peshkimit e merr naftën me çmim burse. Sot shkon në rreth 40 lekë litri i naftës nga rreth 170 lekë që ishte para 6 vitesh.”

Pavarësisht pandemisë së Covid 19, peshkimi mbetet një nga sektorët me rritjen më të shpejtë në ekonominë shqiptare.

Vetëm gjatë vitit 2019, Shqipëria eksportoi rreth 100 milionë euro peshk dhe prodhime deti.

Sa i përket merkatove të tregtimit me shumicë të peshkut, aktualisht ka përfituar markata e Shëngjinit, e cila është në fazën e kolaudimit.

Në verë të këtij viti ka nisur puna edhe për markatën e Vlorës, ndërsa investime të ngjashme pritet të nisin edhe në markatën e Durrësit e Sarandës.