Juventusi po kalon një moment jo të mirë në aspektin financiar. Bardhezinjtë momentalisht kanë ndalur tratativat për rinovimin me Paolo Dybala, i cili kërkon të jetë më i paguari pas Cristiano Ronaldos.

Me humbjet e pësuara, kampionët as nuk e çojnë ndërmend të ofrojnë 13 milion euro në sezon për argjentinasin.

Dilemat në Torino lidhen me të ardhmen e portugezit, të cilit gjithashtu i përfundon kontrata verën e vitit 2022. Edhe pse 35 vjeç, për të ka ende interes nga klube të mëdha.

PSG është një prej tyre dhe Leonardo e pranoi se francezët janë ndër klubet që i kanë mundësitë financiare për të marrë një lojtar të kalibrit të portugezit. 

Portali sportive italian, Tuttomercatoweb, në një shkrim të gjatë analizues, hedh “shashkën”.

Neymar për Ronaldo, të dy lojtarët paguhen thuajse njëlloj dhe palët do të ishin të kënaqura me një shkëmbim kokë më kokë. Momentalisht gjithçka është në kuadrin e fjalëve, por pak kohë më parë Georgina Rodriguez, partnerja e sulmuesit të Juventusit, nuk ngurroi të shprehtë dashurinë e saj për Parisin.

Gjithsesi ka edhe një pistë tjetër që lidhet me Ronaldon.

Nga Argjentina, ESPN raporton se burime pranë Manchester United u kanë zbuluar atyre se “Djajtë e kuq” i kanë paraqitur një ofertë tunduese portugezit dhe ai po e mendon. Nga na tjetër Juventusi është gati të futet në bisedime, nëse United realisht do ta transferojë Ronaldon.