Pandemia e koronavirusit rrezikon të zhbëjë 25 vjet arritje në barazinë gjinore, sipas të dhënave nga njësia e Kombeve të Bashkuara për fuqizimin e grave. Sipas këtij organizmi në këtë periudhë, gratë po bëjnë dukshëm më shumë punë shtëpie dhe kujdes familjar.

“Gjithçka për të cilën kemi punuar dhe investuar në këto 25 vjet, mund të humbasë brenda një viti,” thotë Zëvendës Drejtorja Ekzekutive e UN VVomen Anita Bhatia.

Mundësitë e punësimit dhe arsimit kanë ndryshuar dhe gratë mund rrezikojnë të vuajnë nga një shëndet më i dobët mendor dhe fizik. Barra e kujdesit paraqet një “rrezik real për t’u rikthyer në stereotipat gjinorë të viteve 1950”, thotë zonja Bhatia.

Edhe para pandemisë, u vlerësua se gratë po bënin rreth tre të katërtat e 16 miliardë orëve të punës së papaguar që bëhen çdo ditë në të gjithë botën. Me fjalë të tjera, para koronavirusit, për çdo një orë punë të papaguar të bërë nga burrat, tre orë bëheshin nga gratë. Tani kjo shifër është më e lartë.

Megjithëse 38 sondazhet e kryera nga UN Women kryesisht u përqëndruan në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të dhënat nga vendet më të industrializuara tregojnë një pamje të ngjashme.

“Më alarmant është fakti që shumë gra në të vërtetë nuk po kthehen në punë,” thotë zonja Bhatia.

“Vetëm në muajin shtator, në SH.B.A., rreth 865,000 gra u larguan nga puna në krahasim me 200,000 burra, dhe kjo mund të shpjegohet me faktin se gruaja kishte një barrë kujdesi për familjen.”

UN Women paralajmëron se efekti i dallgës nga të paturit më pak gra në punë do të jetë i tmerrshëm, jo vetëm në mirëqenien e grave, por edhe në përparimin dhe pavarësinë e tyre ekonomike.