Në një intervistë me Skype nga SHBA për Ora News, analisti Ilir Demalia ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, duke u ndalur edhe te vendimi i Prof. Tritan Kalo për tu larguar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve apo te njoftimi i kryeministrit Edi Rama, i cili anonçoi drejtuesen e Infektivit Najada Çomo si kandidate për deputete në zgjedhjet e 25 Prillit.

Sipas Demalisë, Çomo tregoi se ka qenë në shërbim të politikës, ndërsa Kalo respektoi integritetin profesional dhe intelektual.

Lexo edhe:

Najada Çomo kandidon për deputete të PS-së, Rama: S’duam të bëhesh si ne, por ne si ty

Ilir Demalia: Kjo tregon edhe një herë se, në Shqipëri institucionet nuk janë në gjendje të krijojnë pavarësi dhe integritetin e tyre. Po të shohësh qëndrimet e zonjës Najada Çomo gjatë gjithë daljeve të saj, ajo dukshëm dukej se ishte thjesht një zëdhënëse e pushtetit politik dhe gjithçka që fliste me shifra ishin konvinim për pushtetin politik dhe jo realitet.

Nga ana tjetër kemi edhe doktorin (Tritan Kalo), të cilit i lexova dhe shkrimin sot, me të drejtë ai e quan ashtu siç e quan, që ndërhyhet, që institucionet nuk kanë pavarësi dhe nuk janë në gjendje që as brenda profesionit të tyre të dalin me një zë të përbashkët. Unë mendoj që doktori bëri shumë mirë që dha dorëheqjen dhe tregoi integritetin e vet.

Nuk ishte një dorëheqje apo largim politik por një largim në respekt të profesionit të tij dhe integritetit intelektual. Në anën tjetër, zonja Çomo tregoi se gjithçka kishte aty ishte në shërbim të politikës dhe mori shpërblimin që tani do bëhet deputete. Në një kohë që ishte aq e nevojshme për të qenë pranë krizës së Covid-19.

Lexo edhe:

Dorëheqja e Tritan Kalos nga Komiteti i Ekspertëve, Dasho: Veprim prej profesionisti dinjitoz

Kryeministri Edi Rama rekrutoi ditën e sotme Najada Çomon nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për në listat e tij për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.

Shefja e Spitalit Infektiv do të kandidojë në Tiranë, ndërsa lajmi i u bë publik pikërisht në ditën kur Tritan Kalo, një nga mjekët infeksionistë të njohur të Shqipërisë dha dorëheqjen nga Komiteti duke akuzuar politikën për infektim të bluzave të bardha.

Vetë mjekja e mirëpriti përfshirjen në politike krah partisë qeverisëse.

Çomo ka qenë një ndër mjeket më akive në rrjetet sociale përgjate kohës së pandemisë, ndërsa Komiteti Teknik i Ekspertëve pjesë e të cilit edhe Çomo ka qenë në qendër të kritikave nga pak mjekë brenda sistemit.

Lexo edhe:

Mjeku Kalo largohet nga Komiteti i Ekspertëve: Kushdo nga gjithologët dhe kritikët mund ta marrë vendin tim

Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti për web Aurel Rakipllari