Konfirmimi i rasteve me koronavirus i punonjësve ka detyruar mbylljen e dy institucioneve të tjera shtetërore. Në Lushnje, pas Maternitetit është mbyllur edhe Instituti i Sigurimeve, ndërsa në Vlorë zyra e Zonave të Mbrojtura.

Përhapja e koronavirusit vdekjeprurës po detyron mbylljen e institucioneve shtetërore.

Institutit të Sigurimeve Shëndetësore në Lushnje është mbyllur për shkak se një punonjëse e këtij institucionin ka rezultuar pozitive me Covid 19.

Të gjithë punonjësit janë të karantinuar në shtëpi dhe do të jetë përgjigja e analizave që do të mundësoje nisjen e punës.

Më herët, konfirmimi pozitiv i një mjeku, detyroi mbylljen e maternitetit pranë Spitalit të Lushnjes.

Në këto kushtet, gratë shtatzëna po detyrohen ti drejtohen maternitetit të Fierit për trajtimet mjekësore, ku në 24 orë sollën në jetë 5 fëmijë.

Vatra të reja të koronavirusit në institucione janë konfirmuar edhe në Vlorë.

Këtë të martë, u mbyllën zyrat e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, pasi dy nga 5 punonjësit rezultojnë të prekur me Covid-19.

Të hënën në Vlorë pezulluan punën Gjykata e Apelit dhe drejtoria e AKU në Vlorë.

Në të dyja institucionet janë konfirmuar punonjës të prekur me koronavirus. Që prej nisjes së pandemisë, institucionet shtetërore kanë qenë vatra të përhapjes së koronavirusit duke detyruar mbylljen e përkohshme të shërbimeve në disa bashki të vendit.