Eldi Hysa, basketbollisti i Tiranës dhe Kombëtares shqiptare, ishte i ftuari i ditës i gazetarit Drilon Xhepollari në “Sport Magazine”.

Suksesi i bardhebluve në nisje të kampionatit kombëtar të basketbollit ishte edhe tema kryesore e diskutimit.

Si është të rikthehesh në parket pas një periudhe të gjatë dhe me një fitore impresionuese si ajo kundër Tirana Eagles?

Eldi Hysa: Ishte një kënaqësi shumë e madhe pasi basketbolli na ka munguar të gjithëve. Se stërvitjen e kemi vazhduar në ambjente të ndryshme, ku kemi pasur mundësi. Disa herë në fusha basketbolli, disa herë në fusha futbolli dhe disa herë te Liqeni për vrap.

Ky ishte starti dhe ishte shumë mirë të riktheheshe në lojë me ekipin edhe të luash në kampiona të rregullt sërish.

Sa i vështirë ishte rifillimi? Periudha e gjatë pa ndeshje ndikon te forma sportive apo në aspektin psikologjik?

Eldi Hysa: Ndikon më shumë te psikologjikja mendoj sepse në adpektin fizik, me stërvitje, flas për ekipin tonë, ne kemi zhvilluar gjatë gjithë kësaj kohe dhe nga ana fizike mendoj kemi qenë mirë. Por na ka munguar loja dhe ajo “fillon tani, fillon pastaj”. Nuk kishim informacione të sakta. Mendoj kjo ka qenë më e vështirë.

Kujtojmë se, Tirana triumfoi 129-58 ndaj Eagles Basket, ndeshje e luajtur në “Farie Hoti”, ndërsa në ndeshjet e tjera Teuta mundi Vllazninë  92-80, ndërsa Goga Basket fitoi me Partizanin 102-62.