Gati 100 milionë persona janë diagnostikuar zyrtarisht si bartës të koronavirusit që prej fillimit të pandemisë. SHBA-ja me rreth 420 mijë viktimat e saj, por tani edhe vatrat e reja në Kinë, apo situata me vaksinimet, tregojnë se beteja me sëmundjen infektive mbetet e ashpër.

Vendet kudo nëpër botë po ashpërsojnë masat kundër përhapjes së koronavirusit për të kufizuar nënllojet e reja që po qarkullojnë këtë stinë dimri.

Urgjencën e konfirmoi Kina me 172 raste të tjera vetëm të dielën, duke detyruar provincat veriore të Hebeit dhe Xhilinit të ngrenë strehë për të karantinuar kontaktet e afërta të pacientëve.

Mutacioni i rrezikshëm i virusit të nga Britania futi në gjendje shtetrrethimi edhe Holandën, përditë nga ora 21 deri në orën 4:30 të mëngjesit, ndërsa skenari i riizolimit si në pranverën e kaluar po merret parasysh nga Franca, Gjermania dhe shtete të tjera europiane.

Mbi 2 milionë e 100 mijë kanë shkuar viktimat e kovidit-19 në gjithë botën, e përpjekjet për ta limituar shpejt bilancin me anë të vaksinimit po dështojnë për shkak të dozave të pakta.

Ka vende si Izraeli që kanë vaksinuar shumicën e shtresave më të rrezikuara dhe tani po mendojnë të nisin me nxënësit e shkollave të mesme, ndërsa në Europë, ukrainasit ende nuk kanë marrë një dozë të vetme, e nuk kanë një datë fikse as për muajin shkurt.

“Sigurisht që mërzitemi kur kolegët tanë nga vendet që i prodhojnë apo edhe nuk i prodhojnë vetë vaksinat, kanë mundur t’i sigurojnë dhe po luftojnë më me besim te e ardhmja ndaj kovidit.”

Sigurimi i sasisë së nevojshme të vaksinave mbetet problem serioz për gjithë BE-në, por ka edhe vende anëtare si Spanja, ku disa qytetarë thonë se nuk u nevojitet vaksina.

Ndërkohë që 55 mijë spanjollë e kanë humbur betejën me kovidin në një vit, skeptikët e vaksinave dhe kundërshtarët e masave kufizuese vazhdojnë të protestojnë kundër qeverisë.

“Njerëzit të mos ecin symbyllas, por të kenë më pak frikë dhe ta kuptojnë se është thjesht një grip i rëndë që duhet ta kalojmë.”

Nga dita e hënë, edhe disa pjesë të Italisë do i rikthehen izolimit si zona të kuqe për shkak të kovidit.

Rajoni i pasur në veri, Lombardia, u izolua gabimisht që javën e shkuar dhe tani autoritetet lokale vetëm në Milano kërkojnë mbi 100 mln euro dëmshpërblim nga qeveria për dëmin ekonomik që pësuan gjatë kohës që bizneset qëndruan mbyllur.

“Do kisha preferuar të qëndronim në zonën e kuqe, sepse një javë portokalli pastaj do bëhet dy javë zonë e kuqe. Nuk besoj se kemi për të dalë nga kjo pa ndihmën e vaksinës.”