Gjatë intervistës së saj për Ora News, zv.ministrja e Shëndetësisë foli edhe për Koronavirusin te fëmijët dhe rekomandimet e fundit se kur bëhet e detyrushme mbajtja e maskës për ta.

Matilda Mcini: Problem mbetet edhe kategoria e fëmijëve, duke patur parasysh në disa zona, jo shumë larg zonave urbane, ka mungesë të ujit dhe si rrjedhojë nuk ruajnë dot higjenën. Nga ana tjetër, jo të gjithë fëmijët kanë mundësinë të mbajnë maska. A do të sillte kjo, duke parë që fëmijët janë mbartës të virusit dhe ndoshta transmetuesit më të mëdhenj të Koronavirusit, një problem në përhapje?

Mira Rakacolli: Kur kemi bërë protokollin e maskave kemi konsultuar materialet e fundit të OBSH dhe UNICEF në lidhje me prekjen e fëmijëve nga Koronavirusi. Fëmijët nuk preken nga Koronavirusi aq sa të rriturit. Dhe nuk është ajo që mendohej në fillim se këta nuk preken shumë por e shpërndajnë më shumë se të tjerët, kjo nuk qëndron në studimet e fundit. Pra, nuk janë spredera (shpërndarës) më të mëdhenj se pjesa tjetër e popullatës. Për këtë arsye, ka patur edhe qëndrime kontradiktore se në çfarë moshe duhet ta mbajnë fëmijët maskën dhe disa vende kanë vendosur moshën 6-vjeç. Rekomandimet e fundit janë se, deri në moshën 12 vjeç mund ta mbajë maskën sipas dëshirës”.

Sipas saj, nga maska vetëm të mira ke, ndërsa shtoi se vendimi i qeverisë që hyn në fuqi ditën e enjte i përjashton fëmijët nën 12 vjeç.