Covid 19, Rita Ora mesazh Kosovës: Mbani maskë!

Covid 19, Rita Ora mesazh Kosovës: Mbani maskë!

Këngëtarja e njohur Rita Ora iu bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të mbajnë maskën në publik dhe të mbrohen nga koronavirusi. Ajo iu bashkohet artistëve të tjetër me famë botërore që përcjellin mesazhe ndërgjegjësimi.

Në total, Kosova regjistron mbi 12,800 raste pozitive dhe deri më tani koronavirusi u ka marrë jetën mbi 490 pacientëve. Sfidë e afërt për qeverinë është fillimi i vitit të ri shkollor.

Gjendja e vështirë e krijuar në Kosovë nga përhapja e madhe e koronavirusit dhe numri i lartë i viktimave ka nxitur disa artistë të njohur me famë botërore të përcjellin mesazhe ndërgjegjësimi për publikun. E fundit që iu bashku nismës së UNICEF në Kosovë, është këngëtarja Rita Ora.

“Jam e shqetësuar që shumë njerëz në Kosovë janë prekur nga Coronavirusi. Ju lutem mbroni veten dhe të dashurit tuaj. Vendoseni maskën, respektoni distancën fizike dhe kujdesuni për higjienën tuaj. Unë e mbaj maskën jashtë shtëpisë, që të kthehem në Kosovë dhe të festojmë së bashku fundin e këtij virusi”, tha këngëtarja në mesazhin e saj. 

Në total, Kosova ka regjistruar mbi 12,800 raste pozitive. Prej tyre, 492 pacientë kanë humbur jetën dhe 8,942 janë shëruar.

Sfidë e parë për vjeshtën për qeverinë e Kosovës mbetet tani fillimi i vitit të ri shkollor. Deri tani Ministria e Arsimit parashikon që mësimi të zhvillohet në tre skenarë, të cilët përfshijë kthimin në shkolla, mësimin e kombinuar dhe mësimi në distancë.

Qeveria ka miratuar mbi 13 milionë euro për realizimin e këtyre skenarëve.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se në shumicën e shkollave tashmë kanë filluar përgatitjet e nevojshme për një fillim të mbarë të vitit shkollor.

“Ne jemi të vetëdijshëm se po marrim përsipër një rrezik me hapjen e shkollave sipas procedurave, që duhet të ndiqen në kushtet e pandemisë. Prandaj, kërkohet kujdes ekstrem i nxënëseve, prindërve, arsimtarëve dhe komunave, që shkollat të mos kthehen në vend ku përhapet virusi”, tha Hoti pas mbledhjes së qeverisë.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, në kuadër të masave kufizuese që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

EMISIONET