Vendet e Azisë dhe ato të Amerikës Jugore vijojnë të raportojnë me qindra e mijëra raste të reja në ditë duke treguar se pandemia e koronavirusit nuk ndikohet nga pozicioni gjeografik dhe rreziku i një vale të dytë goditëse po bëhet gjithnjë e më i mundshëm.

Kina ka raportuar 101 pacientë të rinj me virusin SARS-Cov-2, pavarësisht përpjekjeve të vendit për të ndalur goditjen nga një valë e dytë e pandemisë së koronavirusit.

Shifra më e lartë e të infektuarve që nga 13 prilli detyroi të mërkurën autoritetet të urdhërojnë mbylljen e palestrave, bareve dhe muzeve dhe nisjen e fushatave masive të testimit në vatrat e infeksionit në rajonin verilindor të Shinxhiangut, në Lianoning në verilindje dhe një rast në Pekin.

Jashtë këtyre rajoneve, virusi i kovidit është arritur të kontrollohet më mirë që prej shpërthimit në Uhan në fundin e vitit të kaluar, ndërkohë që në spitalet kineze 482 persona ende po marrin trajtim mjekësor, 4.634 persona në total kanë humbur jetën dhe 84 mijë janë të infektuarit.

Edhe vendet e tjera të Azisë dhe Paqësorit raportojnë një rëndim të situatës me pandeminë.

981 raste të reja u konfirmuan një ditë më parë në Japoni, duke ngritur alarmin për mungesë godinash për qëllime karantinimi.

Në Korenë e Jugut, ndërkaq, 48 raste të reja e rritën në 14,200 totalin e të diagnostikuarve me koronavirus ndërsa 300 persona deri tani nuk i kanë mbijetuar dot sëmundjes infektive.

Ndër vendet më të largëta, Australia të mërkurën raportoi numrin më të ulët të pacientëve të rinj në 24 orë, më pak se 300 raste dhe 9 viktima, ndërsa qeveria e Zelandës së Re njoftoi për një paketë të re ligjore për ta çliruar disi barrën financiare qindramilionadollarëshe që taksapaguesve vendës u është dashur të paguajnë për rastet e karantinimit dyjavor të turistëve dhe biznesmenëve të huaj që vizitojnë vendin, dhe që tani do i marrin vetë përsipër kostot.

Më në lindje, vendet e Amerikës Latine dhe Karaibet kaluan të mërkurën shifrën e 4 milionë e gjysmë rasteve me kovidin-19, më i godituri prej tyre, Brazili, me 2 milionë e gjysmë të infektuar dhe gati 90 mijë viktima, ndjekur nga Peruja, Kili, Kolumbia dhe Argjentina.

Në kontinentin e Afrikës, ndërkohë, me 1,2 miliardë banorë, ekspertët paralajmërojnë rreziqet që po has sistemi i dobët shëndetësor atje kur afro 18 mijë persona nuk i kanë mbijetuar dot sëmundjes së kovidit dhe 860 mijë të tjerë janë bartës të virusit vdekjeprurës.