COVID-19/ Përkeqësim i shpejtë gjatë nëntorit, 174 vdekje më shumë se tetori

COVID-19/ Përkeqësim i shpejtë gjatë nëntorit, 174

Në Shqipëri, muaji nëntor shënoi një përkeqësim të shpejtë të situatës së pandemisë COVID 19 me një numër të lartë viktimash dhe një shtim të fortë të rasteve të reja.

Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se janë 304 persona të cilët humbën jetën, duke bërë që mesatarja ditore e muajit të jetë prej 10 vdekjesh në ditë.

Shifrat e nëntorit përbëjnë 58 përqind të totalit të viktimave që nga muaji mars. Ndërsa krahasuar me muajin tetor janë 174 vdekje më shumë, ose një rritje prej 134 përqindësh.

Vetëm në 24 orët e fundit u njoftuan 12 viktima të reja: 5 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Elbasani, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Vlora, 1 qytetar nga Berati, 1 qytetar nga Lushnja, 1 qytetar nga Peqini.

Të dhënat dëshmojnë gjithashtu se numri i të prekurve u rrit me 17.812 të infektuar osë 84 përqind e totalit të rasteve të reja të rregjistruara që nga fillimi i pandemisë. Ndërsa në krahasim më muajin tetor janë më shumë se 10.400 raste, ose 140 përqind më shumë. Në nëntor, mesatarja ditore kërceu në 593.7 të prekur, kundrejt 238 infektimeve ditore në muajin tetor.

Rastet e reja erdhën drejt një shtimi konstant gjatë nëntorit. Edhe në 24 orët e fundit ato rregjistruan një ndër kuotat më të larta, 832 raste: 430 në Tiranë, 100 raste në Fier, 33 raste në Durrës, 32 raste në Elbasan, 27 raste në Korçë dhe Berat, 21 raste në Kuçovë, 20 raste në Shkodër, 19 raste në Lushnje, 17 raste në Kurbin, 16 raste në Vlorë, 15 raste në Mallakastër, 14 raste në Tropojë, 11 raste në Sarandë, 9 raste në Pogradec, 8 raste në Mat, 6 raste në Kavajë dhe Gramsh, 3 raste në Kukës, Tepelenë, Skrapar, 2 raste në Krujë, Lezhë, Gjirokastër, Përmet, 1 rast në Has, Delvinë, Dibër, Bulqizë.

Rritja e shifrave të të prekurve i dedikohet në masë të madhe shtimit të testimeve, të cilat u ngjitën me 75 përqind krahasuar më tetorin. Në total gjatë muajit të shkuar u realizuan 65.928 testime. Mesatarja ditore arriti në 2197 tamponë, kundrejt 1.214 të tillë që ishte mesatarja e tetorit. Testimet e realizuara muajin e kaluar, përfaqësojnë pak më shumë se gjysmën e totalit të realizuar që nga nisja e pandemisë.

Por rritja e rasteve të reja nuk shpjegohet vetëm me testimet e shtuara. Ato janë tregues i një situate në përkeqësim. Këtë e dëshmon dhe mesatarja e pozitivitetit, e cila arriti në 27 përqind në nëntor, nga 19.6 përqind që ishte muajin e mëparshëm. Pozitiviteti (raporti mes testimeve dhe rasteve të konfirmuara) është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet. Përgjatë gjithë nëntorit, pozitiviteti erdhi duke u ngjitur, aq sa javën e fundit arriti në 30.3 përqind. Ndërsa në 24 orët e fundit kërceu në kuota të parregjistruara më parë, 38.2 përqind.

Situatën e rënduar e tregon edhe dyfishimi gjatë nëntorit, i rasteve aktive të cilat janë tanimë në kuotën e 18.808 personave që janë ende pozitivë, por dhe rritja e ndjeshme e numrit të pacientëve që janë shtruar në spitale. Nëse në fund të muajit tetor, raportoheshin 293 pacientë, të dhënat e 24 orëve të fundit tregojnë se aktualisht ndodhen në spitale 506 të sëmurë me shenja klinike. Prej tyre 28 janë në terapi intensive dhe 11 të tjerë të intubuar. /VOA

Vendi Lajme Covid-19 koronavirusi ne shqiperi Sociale VOA Aktualitet

EMISIONET