Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka publikuar shifrat alarmante të infeksioneve të reja me Covid-19 në 24 orët e fundit.

Sipas njoftimit, në vendin fqinj janë shënuar plot 870 raste të reja me koronavirus, teksa 14 pacientë kanë humbur betejën me të.

Numri i të shëruarve është 292. Sakaq janë kryer edhe 2647 teste.

Qyteti më i prekur është Shkupi me 422 raste dhe pas tij vjen Tetova me 64, Strumica me 55, Kumanova me 28, Dibra me 10 etj.

Serbia po ashtu regjistroi numrin më të lartë të infeksioneve që nga fillimi i pandemisë me 1,328 raste të reja pozitive.

Ndërkohë 5 pacientë e humbën betejën me virusin duke ndërruar jetë. Pothuajse gjysma e rasteve të reja janë në Beograd.

Presidenti Vuçiç në një konferencë urgjente për mediat tha se sistemi shëndetësor është në presion.

Ai njoftoi hapjen e dy spitaleve të reja në Beograd dhe Krushevac, ndërtimi i të cilëve do të përfundojë deri në fund të vitin dhe do të pranojnë vetëm pacientë të infektuar me Covid.

Por Presidenti serb përjashtoi mundësinë e një bllokimi të përgjithshëm për shkak të ekonomisë, por e la të hapur mundësinë e hapur për marrjen e masave shtrënguese shtesë në nivel lokal.

Që prej fillimit të pandemisë, në Serbi janë infektuar 42.208 persona, ndërsa 803 prej tyre kanë humbur jetën.