Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka vizituar ditën e sotme Spitalin Universitar të Traumës.

Manastirliu ka bërë të ditur që me planin për periudhën vjeshtë-dimër, urgjencat kirurgjikale të Tiranës do të vijojnë të mbulohen nga spitali i Traumës, teksa ka shtuar se pritettë shtohet fluksi.

“Në strategjinë tonë të vjeshtë-dimrit dhe në planin tonë aktual ne jemi të përgatitur që të dyfishojmë kapacitetet e shtretërve për të përballuar jo vetëm COVID19 por dhe për rastet që do të jenë me grip, pasi mund të ketë një mbivendosje dhe do të ketë edhe më shumë flukse në spitalet tona. Paralelisht po vijon lufta e përditshme e terrenit, për të testuar çdo kontakt, në mënyrë që të kufizojmë zinxhirin e përhapjes së infeksionit”, tha Manastirliu.

Gjatë inspektimit të saj, Manastirliu ka treguar se aktualisht janë 30% kapacitete të lira në dy spitalet COVID, ndërsa në total janë 500 shtretër në dispozicion të trajtimit të rasteve në të katër spitalet.