Covid-19/ Kush do të vaksinohet i pari? Mblidhet grupi i ekspertëve

Covid-19/ Kush do të vaksinohet i pari? Mblidhet grupi i ekspertëve

Anëtarët e një komisioni këshillimor të Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u takuan të martën për të përcaktuar se cilat kategori duhet të vaksinohet fillimisht kundër koronavirusit, me miratimin përfundimtar të vaksinës nga autoritetet.

Komisioni Këshillimor i CDC-së për Praktikat e Imunizimit dëshiron të informojë publikun në lidhje me rekomandimin e tij përpara se të shpallet një vendim nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA), i tha të martën kryetari i komisionit Dr. Jose Romero rrjetit televiziv CNN.

FDA-ja po shqyrton një kërkesë të kompanisë Pfizer për dhënien e autorizimit për përdorimin e vaksinës së saj kundër COVID-19. Kompania tjetër amerikane Moderna njoftoi të hënën se ka aplikuar gjithashtu për të marrë një autorizim për përdorimin e vaksinës së saj.

CDC-ja ka rekomanduar tashmë që punonjësit e shëndetësisë, që punojnë në vijën e parë të frontit dhe personeli i tyre ndihmës të marrin dozat e para të vaksinave. CDC-ja gjithashtu tha se banorët e shtëpive të të moshuarve dhe institucioneve të tjera të kujdesit afatgjatë duhet të jenë ndër të parët që të vaksinohen.

Disa orë pas njoftimit të kompanisë Moderna, Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore Alex Azar tha se agjencia do të njoftojë vendimin rreth një javë pas vendimit lidhur me aplikimin e Pfizer-it.

Dr. Larry Corey i universitetit të Uashingtonit, i cili udhëheq provat klinike mbi vaksinat në SHBA, ka thënë se pasi të miratohen vaksinat e kompanive Pfizer e Moderna, ato mund të prodhojnë 50 milionë doza në janar.

Komisionit këshillimor mblidhet një ditë pasi në SHBA u raportuan rreth 139 mijë raste të reja me koronavirus dhe 826 vdekje, sipas Universitetit Johns Hopkins.

Prej muajsh SHBA vazhdon të udhëheqë botën për nga numri i infektimeve me koronavirus, me më shumë se 13.5 milionë raste nga totali prej 63.3 milionë rastesh në të gjithë botën. Që nga fillimi i pandemisë në SHBA kanë vdekur mbi 268 mijë njerëz si pasojë e COVID-19-s, të dhëna këto të universitetit Johns Hopkins, që raporton 1.47 milionë vdekje në të gjithë botën. /VOA

Shendetësi Lajme vaksina cdc

EMISIONET