Pandemia e Covidit-19 ka sjellë ankth dhe çrregullime të shëndetit mendor te një numër i madh i njerëzve në Kosovë.

Nga 13 marsi kur u regjistrua rasti i parë me koronavirus në vend, më shumë se 380 persona të infektuar kanë humbur jetën, ndërsa janë afër 4 mijë rastet aktive e rreth 7 mijë të shëruar.

Neuropsikiatri Sami Rexhepi vëren se shumë pacientë bartës të infeksionit janë të traumatizuar, të sëmurët kronikë janë acaruar dhe ata që nuk janë të prekur nga virusi, po presin radhën.

Pas kalimit të pandemisë, pritet një rritje e fluksit të pacientëve që kërkojnë ndihmë psikologjike.

“Frika është tek të dy palët, edhe tek ata që e kanë kaluar sëmundjen, posaçërisht nëse e kanë pasur një simptomatologji më të vështirë… Edhe pjesa tjetër të cilët ende nuk e kanë kaluar është sikurse ankth i pritjes, sikurse je duke pritur kur po të vjen radha ty.”

Sipas neuropsikiatrit, problem mbetet një pjesë e shoqërisë kosovare që nuk e ka marrë seriozisht situatën e krijuar nga pandemia dhe këshillat e ardhura nga institucionet e shëndetësisë i perceptojnë më shumë si masa kufizuese sesa si nevojë për mbrojtje.

Rexhepi apelon që çështja e shëndetit mendor duhet parë si pjesë e shëndetit të përgjithshëm.

“Ne nuk na dhimbset, as në aspektin financiar, as të kohës, të shkojmë t’i rregullojmë flokët, një orë e dy, dhe të paguajmë 50 apo 100 euro, ndërsa kur është në pyetje shëndeti mendor mendojmë mos po na sheh dikush e çka mendojnë për ne. Krejt çka munden dhe duhet të mendojmë në këto momente është me i marr dikujt lakmi që ka guximin me u marr me vetveten dhe me i tejkalu problemet para se me u bë të mëdha.”

Rexhepi udhëzon që personat të cilët fillojnë të përjetojnë çrregullime të ndryshme si ankthi, çrregullime të gjumit, makthe dhe shqetësime të tjera, të kërkojnë ndihmë profesionale.

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që të evitohet përdorimi i alkoolit dhe i ilaçeve për të trajtuar frikën, si edhe të pakësohet leximi apo dëgjimi i lajmeve që kanë të bëjnë me sëmundjen e covidit të ri, pasi ato mund ta shtojnë ankthin dhe dëshpërimin.