Shëndetësia është përfshirë në debat përsa i përket pandemisë së koronavirusit, nëse do të ketë ose jo  një valë të dytë në vjeshtë.

Për mjekun shqiptar në Itali Arben Gjeka, këto janë hipoteza, por ai mendon se nëse do të ketë një valë të dytë në vjeshtë, do të jetë më e butë se vala e parë.

Arben Gjeka: ”Flitet për rrezik global. Janë të gjitha hipoteza, por siç kemi dëgjuar nga ekpertë që dinë më shumë se ne, kthimi i një vale të dytë në vjeshtë,  është diçka e konfirmuar pak a shumë nga të gjithë. Mendoj që nuk do jetë kurrë ai gravitet ose rrezikshmëri që kemi kaluar në valën e parë. Vala e dytë, nëse do të arrijë, do të jetë më e butë se në valën e parë, dhe sigurisht do t’i gjejë mjekët dhe të gjithë institucionet më të përgatitur. Tani e njohim virusin, e njohim si ta kurojmë, jemi me shpresë që të vijë edhe vaksina. Edhe nëse vjen vala e dytë do jetë më e butë se e vala e parë. Janë të gjitha hipoteza, asgjë nuk është e sigurtë.”

Në një lidhje përmes Skype për Ora News, Gjeka tha se Shqipëria konsiderohet një vend me rrezikshmëri të lartë përsa i përket infektimeve me Covid-19.

Arben Gjeka: ”Shqipëria bën pjesë në vendet me rrezikshmëri të lartë, po ashtu edhe vendet e lindjes. Unë e pashë vetë para dy javësh, dhe duke kaluar nga Hungaria në Kroaci kufiri ishte i bllokuar, dhe kërkonin të vërtetoje rrugën që kishe bërë me makinë. Nëse kishe kaluar në vend me rrezik të lartë, duhej të shkoje në karantinë. Një nga vendet me rrezikshmëri të lartë ishte dhe Shqipëria. Shqipëria bën pjesë në ato vende me rrezik të lartë infektimi.”

Intervistoi në studio Eneida Ndoci, përgatiti për online Renato Çaushi.