Në një lidhje me Skype nga Gjermania për emisionin “Tempora”, eksperti i shëndetit publik Erion Dasho kërkoi masa më të ashpra për të parandaluar atë që ai e quajti situatë katastrofike me pandeminë Covid-19 në Shqipëri.

Erion Dasho: Unë prej kohësh kam thënë se duhen marrë masa dhe duhen marrë masa shumë më energjike. Ajo që unë kam dashur të theksoj me karantinën dhe lockdown-in është që kjo fjalë në Shqipëri gjithmonë është keqinterpretuar. Sa herë që ne flasim për karantinë apo lockdown, ministria apo Komiteti i Ekspertëve, kryeministri gjithmonë e ka interpretuar karantinën si burgosje të qytetarit në shtëpi. Dhe unë pikërisht me këtë nuk jam dakord.

Pra, masat emergjente duhen marrë menjëherë sepse situata është katastrofike. Nuk besoj se ka person që mund të thotë se situata është mirë, me përjashtim të disa kamikazëve të Komitetit. Ka nevojë për masa urgjente. Ka nevojë për masa që në rradhë të parë të shtojmë testet.

Teste ka një muaj që nuk ka. Në dy javët e para të shkurtit mesatarja e testeve ka qenë rreth 4 mijë në ditë. Në dy javët e dyta, kur mbaruan testet e shpejta, mesatarja ditore shkoi 3700. Dje dhe sot kemi patur 3300, 2700. Pra tregohet se teste bëhen gjithmonë e më pak.