Dita e sotme (18 gusht), shënoi numrin më të lartë të të infektuarve në vend, 155 raste të reja në 24 orë.

Për ekspertin e shëndetit publik Erion Dasho, situata është serioze, pasi po kryhen 5-10 herë më pak tampone, sesa duhen kryer.

Ai tha se duhet të bëhen të paktën 2000-2500 tampone në ditë.

Në një lidhje përmes Skype për ‘RTV Ora’, Dasho tha se tamponet duhet të blihen, dhe se duhet zgjedhur një prodhues i besueshëm.

Erion Dasho: ”Tamponet janë të paktën 5-10 herë më pak sesa duhet të kryhet. Ne kryejmë në sektorin publik 500-600 tampone në ditë, ndërkohë që duhet të kryejmë 2000-2500 për t’iu përgjigjur nevojave. Tamponet duhet të blihen diku, dhe duhet të zgjidhet në rradhë të parë ofruesi i këtyre tamponeve. Sot në treg ka tamponë që kushtojnë nga disa euro në disa dhjetëra euro. Duhet zgjedhur prodhuesi, i cili ka disa karakteristika. Së pari, prodhues që është nga vende të besueshme, të jetë duke shitur në tregje të besueshme. Nëse një prodhues shet në tregun gjerman, italian, evropian në përgjithësi, kuptohet se është një prodhues që ka vulën e besueshmërisë nga këto tregje. Duhet të ketë besueshmëri testi, që mos të dalin raste false pozitive apo negative. Nuk na mungojnë lekët apo kapaciteti i njerëzve, por na mungon aftësia organizative. Testimi është baza e gjithçkaje.”

Sipas tij, nuk dihet nëse situata epidemiologjike në Shqipëri e lejon hapjen e shkollave më 14 shtator, dhe se mund të jetë me risk të lartë.

Dasho thekson faktin e testimit në masë të popullsisë.

Erion Dasho: ”Ne nuk e dimë nëse situata epidemiologjike në Shqipëri e lejon hapjen e shkollave. Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron, se nëse ka transmetim komunitar, hapja e shkollave mund të jetë me risk të lartë. Ne nuk e dimë ku jemi sepse nuk testojmë. Testimi të mundëson që të shikosh nëse masat janë duke dhënë efekt. Sot marrim një masë dhe nuk jemi në gjendje të shikojmë efektin e këtyre masave. Të gjitha këto mangësi neve na vijnë sepse nuk testojmë. Testimi nuk ka asnjë justifikim. Askush nuk mund të thotë se nuk testohet për arsye objektive. Nuk testohet për arsye subjektive, që janë mungesa e vizionit dhe mungesa e aftësisë organizative.”

Intervistoi në studio Xhoi Malësia, përgatiti për online Renato Çaushi.

Lexo edhe: Ulet numri i viktimave por shënohet rekord i ri rastesh: 155 të infektuar me Covid-19 në 24 orë

Merret vendimi, viti i ri shkollor në 14 shtator, me masat anti-covid