Numri i viktimave nga koronavirusi në Meksikë është rritur në 46,700, duke e bërë shtetin latin të tretin në botë për bilancin më të rëndë të pandemisë, pas SHBA-së dhe Brazilit.

Meksika ka kaluar Britaninë e Madhe duke zënë vendin e tretë në botë për numrin e jetëve të humbura nga pandemia e koronavirusit.

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Brazilit që kryesojnë së bashku listën me mbi 245 mijë viktima prej kovidit, shifrat e përditësuara e çuan të shtunën në afro 46,700 numrin e personave që nuk mundën t’i mbijetojnë dot sëmundjes vdekjeprurëse në Meksikë.

Në 28 shkurt vendi latin raportoi tri rastet e para të diagnostikuara me kovidin-19, atëkohë të sapoardhur nga vatra europiane që ishte Italia.

“Kur ia kemi kaluar Londrës me aq shumë viktima tregon se do e kemi të vështirë ta zbutim këtë pandemi që na ka goditur aq fort. Mundet vetëm të mbrohemi që të mos ia përhapim njëri-tjetrit.”

Me kalimin e muajve, masat e vonuara të izolimit të popullsisë apo heqja shumë shpejt e kufizimeve të miratuara nga autoritetet vendëse, ka bërë që bilanci i të prekurve në fundjavë të prekë nivelin e 424 mijë personave.

Sipas zyrtarëve, harta e infeksionit me gjasë do të zgjerohej po të rritej numri i testimeve.

Përhapjen e sëmundjes po e përshpejton edhe mungesa e maskave, që shumë meksikanë i interpretojnë si një zgjedhje politike, joshkencore, dhe refuzojnë t’i mbajnë në publik.

Presidenti i vendit, Andres Manuel Lopez Obrador, ka këshilluar në mënyrë popullore që që virusi mund të shmanget me rënien në peshë, me mënjanimin e fastfudeve dhe me pasurimin e botës shpirtërore.

Për të rrezik më i papërballueshëm për vendin mbetet korrupsioni, motivi i fushatës së tij elektorale.

“E dini kur do e mbaj maskën, kur të mos ketë më korrupsion. Ndaj të arrijmë marrëveshje për t’i dhënë fund atij dhe fjalëve të kota, dhe pastaj do ta mbaj maskën. Megjithatë flaka e shpresës nuk është shuar ende, dhe jemi besimplotë se mund ta kalojmë këtë situatë siç kemi bërë më parë me armiqësitë, epidemitë, përmbytjet, tërmetet.”

Në 24 orët e fundit, virusi SARS-CoV-2 në Meksikë u mori jetën 688 personave të tjerë.

Që pas shpërthimit në qytetin kinez të Uhanit dhjetorin e kaluar, kovidi i ri ka infektuar mbi 17 milionë e gjysmë persona në 188 vende të botës, duke vrarë 680 mijë prej tyre.