I ftuar në Ora News, anëtari i kryesisë së PD-së, Kreshnik Çollaku u shpreh se ajo që quhet minishengen Ballkanik është Shqipëria plus Jugosllavinë e re.

Sipas Çollakut, Minishengeni ballkanik nuk ka mbështetjen e shqiptarëve dhe se i shërben vetëm hegjemonisë së Serbisë në Ballkan.

Çollaku: Minishengeni Ballkanik ka për tutor suportues Serbinë. Ngjajnë sepse bashkojmë kufinjtë, bashkojmë procedurat, por thelbi shkojmë te lokomotiva e këtyre trenave. Me lokomotivë Gjermaninë, asnjë problem nuk ka, as shqiptarët dhe as Ballkani për të ecur të qetë drejta asaj rruge. Po me lokomotivë ballkanike Serbinë, jemi absolutisht drejt një humnere politike apo ekuilibri.

Unë nuk mendoj se Maqedonia ka fuqi të tërheqë lokkomotivën, për shkak edhe të peshës së vendit që kla, për shkak të këtyre ekuilibrave të brishtë. Ajo shërben si një lloj kushinete në Ballkan, për të shmangur përplasjen e konflikteve të mëdha. Ai që quhet minishengeni ballkanik, ish-Jugosllavia plus Shqipëria në Ballkan është një tren dhe lokomotiva e këtij treni është Beogradi dhe Serbia. Asnjë garanci nuk ka në nga Shqipëria dhe Kosova duke folur nga interesi kombëtar, sepse kjo bëhet duke i shërbyer interesave shqiptare. Kosova është një republikë nën sulm,ende sot është. Çfarë po ndodh në Hagë është një vazhdim i luftës së Serbisë me Kosovën. Jo më me armatat, por me procedurat gjyqësore.

Ekonomitë e dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Kosovës, janë tepër të brishta dhe të mos rakorduara, të ndara me njëra-tjetrën, në rast se ne në mënyrë naive do të bashkonim me lehtësi ekonomitë tona, resurset tona duke i hapur rrugën hegjemonisë serbe në Ballkan, do të përballemi me një hegjemoni serbe në Ballkan.

Minishengeni ballkanik ishte një nisme që nuk kishte dhe nuk ka mbështetjen e shqiptarëve. Kryeministri Hoti në marrëveshjen e Uashingtonit pohoi se futja e minishengenit ishte një detyrim, një kompromis që u detyrua të bëhej për t’u kënaqur Serbia. Në gjykimin tim kjo është e padrejtë. Për minishengen mund të flasim vetëm kur Serbia të njohë Kosovën dhe kur të kemi një unifikim ekonomik. Në kushtet ku ndodhemi sot kjo i shërben vetëm hegjemonisë së Serbisë në Ballkan.

Çollaku shtoi se në dialogun Serbi Kosovë, Serbia vetëm ka përfituar dhe për rehabilitimin e Serbisë si shtet normal ka ndihmuar edhe ortakëria me Ramën.

Çollaku: Në dialogun Serbi-Kosovë, Serbia vetëm ka përfituar. Ka përfituar hapjen e përshpejtimit të negociatave, ka përfituar avancimin në përmbushjen e kapitujve për negociatat, përmes këtij procesi ka arritur të ulet si e barabartë në “Shtëpinë e Bardhë” me Kosovësn, që nuk janë. Xhelati dhe viktima kurrë nuk mund të jenë të barabarta.

Serbia ka arritur ta përfitojë këtë rehabilitim diplomatik në raport me Kosovën. Një dorë shumë të madhe këto vitet e fundit ia ka dhënë afria dhe miqësia disproporcionale që Beogradi ka krijuar me Tiranën. Miqësia ose ortakëria e Ramës me Vuçiçin e ka ndihmuar në rehabilitimin e Serbisë, jo më si një vend që fsheh kriminelë genocidistë, që ka ambicie fashiste, por si një vend normal.