Në një intervistë për Ora News, eksperti i ekonomisë Adrian Civici ka komentuar situatën ekonomike në vend teksa pandemia e Covid-19 nuk ka ndërmend të ndalet.

Sipas profesorit, pandemia vijon të jetë kufizuese për bizneset, por jo si në muajt e parë të saj.

“Kemi hyrë në një fazë të dytë, një lloj “normaliteti” ose mësimi me situatën e pandemisë. Ndryshe nga mbyllja totale e muajve mars, prill, maj të vitit të kaluar, që ishte një “lockdown” pothuajse i plotë, ku përveçse morëm goditje shumë të rëndë edhe në aspektin ekonomik, të punësimit dhe konsumit, tashmë, në një farë mënyre, u bë gati 9 muaj që ekonomia jonë, ashtu si ekonomitë e vendeve të tjera të botës, po përballet paralelisht me pasojat e një goditje nga pandemia Covid-19 së pari që nuk i duket fundi afër dhe së dyti po kthehet në diçka normale me të cilën duhet të bashkëjetojmë në mënyrë që të mos marrim goditje shumë të rënda.

Dhe në këtë sens, edhe ajo që po ndodh në shumë vende të botës të cilat po rindërtojnë dhe po rishikojnë strategjitë e tyre ekonomike dhe qeverisëse që në raport me pasojat nga pandemia bazohet në dy aspekte themelore.

Së pari, nuk janë më ashtu siç ishin gjatë vitit të kaluar paketat e ndihmës, qoftë edhe ato për vende të pasura por edhe për vende si Shqipëria, po kalojnë në një version të dytë disi më të moderuar dhe më të shtrirë në kohë. Për të vazhduar mbështetjen me natyrë sociale, për të ruajtur pagat dhe vendet e punës, për të ruajtur një nivel konsumi me mënyra alternative të mbështetjes dhe stimulimit të konsumit, por njëkohësisht ka filluar edhe një strategji e re nga ana e qeverive, por edhe vetë bizneset nga ana e tyre për tu ripërshtatur dhe për të ndryshuar modelet e tyre të biznesit”, u shpreh ndër të tjera Civici.

Intervistoi Matilda Mcini