Për analistin Aleksandër Çipa kryeopozitari Lulzim Basha ka gabuar në formësimin e disa aleancave në opozitë si ajo mes PBDNJ-së dhe PDIU-së në një koalicion, çka sipas Çipës, krijon një paradoks në perceptimin publik.

Ndërsa referuar Partisë Socialiste, Çipa tha se Rama kandidatët për deputetë i mbante në ankthe deri në limitet e lejuara nga KQZ-ja.

Çipa: Mendoj që Basha bëri gabim edhe në mënyrën se si ka formësuar disa aleanca. Bashkëjetesa e PBDNJ-së dhe PDIU-së në një koalicion, formëson në perceptimin publik një paradoks. Duket sikur i gjithë spektri opozitar nuk është i konsoliduar për të patur një fitore dhe në mënyrën se si do të administrohet kjo fitore. Po ashtu, i takon si detyrë kreut të PD-së, afishimi dhe shpalosja e një kapaciteti për besueshmërinë e një programi fitues qeverisës. Kjo gjë mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme. Nuk mjafton vetëm oponenca dhe kontestimi politik që i bën shumicën së lodhur në qeverisjen 8-vjeçare.

Rama kandidatët për deputetë i mbante në ankth deri në limitet e lejuara nga KQZ-ja. Kjo gjë mesa duket është e pashmangshme. PD këtë gjë duhet ta bënte se e ka pasur kohën, PS-ja ka një tjetër metodologji testuese, në një përballim mes të kontestuarve, të konsumuarve në qeverisje dhe të pakënaqurve në këto dy mandate. Si dhe nga ajo që e karakterizon udhëheqjen e Ramës, që promovon emra të rinj në partinë e vjetër të tij. Partitë tona të mëdha e kanë braktisur principin e selektimi, përfaqësimit dhe ballafaqimin demokratik. Vendimit i merr autoriteti dhe sovranit i ka mbetur vetëm procedura e votimit.

Çipa shtoi se LSI-ja është në momentin më të vështirë dhe kritik elektoral, pasi i duhej të vërtetonte që është forca e tretë dhe duhet ta zgjidhje më herët dilemën për të dalë me PD-në ose e mëvetësishme.

Çipa: LSI-ja është në momentin më të vështirë dhe kritik elektoral, pasi i duhej të vërtetonte që është forca e tretë dhe duhet ta zgjidhje më herët dilemën për të dalë me PD-në ose e mëvetësishme. Në këtë mënyrë do të kishte më shumë mundësi për të parë kapacitetin e vet në struktura. Duhej që të ndërtohej një strategji më pragmatiste.

Sondazhi që është promovuar nga RTV Ora ka rezultuar në 3 edicionet e fundit i suksesshëm. Shpresojmë që të mos kemi asnjë devijancë sepse jemi në një situatë të pakrahasueshme zgjedhore. Dua të besoj se ky kampion për sondazhin do të jetë i besueshëm. Ka një trend të lexueshëm dhe periudha e mbetur nuk është se do të vërë në dilemë vendimmarrjen e votuesit deri në zgjedhje.