Dhuna në familje është një fenomen i përhapur në shoqërinë tonë. Të shumtë janë faktorët të cilët çojnë në dhunë në familje ku në shumicën e rasteve fundi  është tragjik.

Të ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora kanë qenë gazetarja Keti Banushi, sociologu Gezim Tushi dhe juristi Ledio Braho.

Braho tregon se të gjithë personat që hasin dhunë në familje qofshin fëmijë, gra apo burra duhet të telefonojnë policinë.

Sipas ligjit të ri kundër dhunës në familje, gjykatat civile vendosin masa mbrojtëse për viktimat përmes një procedure të shpejtë. Urdhër i mbrojtjes do t’ju japë juve mundësinë për të marrë masa dhe për të mbrojtur veten nga dhuna.

“Duhet të bëjë denoncim në komisariatin e Policisë së Shtetit. Të telefonojë 129, me një telefonatë dhe historiku ka treguar që për krimet në familje përgjigjen automatikisht . Pra, Policia e Shtetit është shumë e shpejtë për krimet në familje sepse ka vuajtur pasojat e mosreagimit. Në momentin që denoncohet një rast i dhunës në familje dhe nëqoftëse qytetari qoftë burrë apo grua nuk proçedon me një kërkesë për urdhër mbrojtje është detyrimi i Policisë së Shtetit. 

Policia në këtë rast i drejtohet gjykatës me një kërkesë për urdhër mbrojtje të menjëhershëm. Gjykata më pas zhvillon seancën brenda 1 apo 2 ditëve dhe jep një urdhër mbrojtje. Bashkia më pas duhet të kujdeset për më tej“- thotë ai.